TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë ka nisur pasditen e sotme rreth orës 18:00 sesionin e ri parlamentar për vitin 2015.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta në fjalën e rastit u shpreh se, gjatë këtij sesioni synohet përsosja e funksionit demokratik të Kuvendit si dhe përmirësimi i dialogu opozitë-mazhorancë. Meta përmendi si një prioritet edhe përmbushjen e reformave që kërkon BE-ja, ndër të cilat veçoi reformën në drejtësi.

“Duke çelur sot punimet e Sesionit të IV-t të Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Shqipërisë dëshiroj t’iu uroj të gjithëve suksese dhe mbarësi në sfidat që na presin përpara. Gjatë këtij viti dhe sesioni parlamentar, Kuvendi do të fokusojë aktivitetin e tij në disa drejtime dhe procese të rëndësishme ku padyshim më thelbësori mbetet realizimi i reformës në drejtësi. Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi, përveçse një instrument parlamentar në kuadrin e ligjvënies, duhet të jetë shprehje e ushtrimit të përgjegjësisë dhe vullnetit tonë për ndryshim ndaj opinionit publik shqiptar, ndaj institucioneve të sistemit dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë’, u shpreh z. Meta.

“Gjatë këtij sesioni ne do të synojmë të përsosim më tej funksionimin demokratik dhe transparent të Kuvendit përmes promovimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të dialogut politik, konstruktiv midis mazhorancës dhe opozitës. Do të synojmë përmirësimin e mëtejshëm të funksionit kushtetues të ligjvënies së Kuvendit përmes shqyrtimit më cilësor të legjislacionit gjatë procesit legjislativ dhe përmirësimit të procedurave legjislative. Do të synojmë forcimin e mëtejshëm të rolit mbikëqyrës të Kuvendit përmes përdorimit intensiv dhe efikas të instrumenteve të kontrollit parlamentar dhe në veçanti, të rrisim më tej rolin e Kuvendit në kuadër të procesit të integrimit evropian në veçanti për përmbushjen e pesë prioriteteve, ku më e rëndësishmja natyrisht qëndron reforma në drejtësi”, u shpreh ndër të tjerash Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Më pas, u miratua procesverbali i seancës plenare, datë 24.12.2014, programi i punës të Kuvendit për periudhën 19 janar – 26 shkurt 2015, kalendari 3-javor (19 janar – 5 shkurt 2015) i punimeve të Kuvendit, kalendarit të raportimeve të Institucioneve në Kuvend, projektvendi “Për një shtesë në vendimin e Kuvendit nr. 91/2014, Për miratimin e përbërjes së komisionit hetimor të Kuvendit për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar më thellë fenomenin e ndërhyrjes dhe të bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike-tatimore, projektvendimi “Për një shtesë në vendimin e Kuvendit nr. 92/2014, “Për miratimin e përbërjes së komisionit hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore”.

Opozita paraqiti sot edhe emrat për komisionet hetimorë. Komisioni Hetimor për Serverin e Tatimeve do të kryesohet nga Arben Ristani, ndërsa anëtarë nga opozita do të jenë deputetët Jorida Tabaku, Florion Mima, Helidon Bushati. Ndërsa Komisioni Hetimor për Emërimet në Administratë do kryesohet nga deputeti i djathtë Genc Pollo, ndërsa anëtarët e tjerë nga opozita do të jenë Voltana Ademi Keltis Kruja dhe Alban Zeneli.

Ndërsa përsa i përket komisioneve të përhershme parlamentare është miratuar që çdo deputet të marrë pjesë vetëm në një komision.

Në rend të punimeve 3-javore, sipas kalendarit të miratuar javën e kaluar në Konferencën e Kryetarëve, është përfshirë edhe shqyrtimi dhe hedhja për votim e dekretit të Presidentit Bujar Nishani për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, i cili është miratuar nga mazhoranca si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Listës së nismave parlamentare së fundmi i është shtuar edhe ligji i ri për huamarrjen, që kreu i shtetit e ktheu për shqyrtim në Kuvend. Reforma në sistemin e drejtësisë si dhe kërkesa e Partisë Demokratike për dekriminalizimin e parlamentit, do të jenë dy çështjet më të nxehta që do të diskutohen. Programi dhe kalendari i punimeve për këtë sesion, pritet të jetë i ngjeshur dhe intensiv nisur edhe nga rekomandimet për procesin e integrimit.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: