TIRANË- Partizani-Laçi është ndeshja që do të çel siparin e superligës, kampionatit të 77-te kombëtar të futbollit.

Superliga shqiptare këtë sezon prit sërish të jetë një garë katërshe për titull, Skënderbeu, Tirana, Partizani e Kukësi, teksa Laçi e Flamurtari pretendojnë të jenë surprizat e sezonit. Këtë sezon do të jete edhe Tërbuni, skuadër e cila provon për herë të parë në historinë e saj shijen e futbollit që vlen.

Ky sezon futbollistik nis mes “hallit” të përhershëm të stadiumeve. Rikonstruksioni i disa fushave në këto momente ka bërë që Flamurtari të “migrojë” në Fier për ta pritur aty kundërshtarin e parë në sezonin e ri, Teutën. Derbi i bregdetarëve do të luhet në stadiumin fierakte shtunen në orën 17:00. Nje zgjedhje e mirë kjo për tifozët vlonjatë, duke parë afërsinë gjeografike.

Problem mbetet dhe stadiumi i Pukës. Ende nuk ka një vendim të FSHF-së për vendin e zhvillimit të ndeshjes Tërbuni-Tirana. Pukjanët pretendojnë se me ndërhyrjet e bëra të stadiumin e tyre kanë përmbushur kërkesat e vendosura nga federata. Kjo e fundit do të bëjë një tjetër vezhgim të situatës në stadiumin “Ismail Xhemali” për të thënë fjalën e fundit. Burime nga FSHF-ja thonë se vështirë të luhet javën e parë në Pukë, ndërkohë që përflitet se stadiumi “Qemal Stafa” mund të jetë arena e debutimit në superiore për Tërbunin. Problem ka edhe stadiumi i Shkodrës nën ristrukturim, ashtu si dhe ai i Laçit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: