Nga: VALENTINA MADANI
TIRANE – Ligji i vetingut nisi dje zbatimin për pastrimin e sistemit të drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave publikoi paraditen e djeshme formularin për rivlerësim të gjykatësve dhe prokurorëve. Gjykatësit dhe prokurorët kanë 30 ditë afat për të plotësuar formularin. Qëllimi i udhëzimit të Ganajt është përcaktimi i rregullave për mënyrën e plotësimit të deklaratës së pasurisë, si dhe dokumenteve që justifikojnë vërtetësinë e deklarimit dhe ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurive.

Sipas udhëzimit të publikuar nga kreu i ILDKPKI, Shkëlqim Ganaj, deklarata e pasurisë nuk do të pranohet nëse nuk shoqërohet me dokumentacionin e identifikimit të subjektit të rivlerësimit. Në bazë të udhëzimit, deklarimi i pasurive të paluajtshme, të regjistruara ose jo në regjistrat publikë, të shoqërohet me dokumentacionin justifikues ligjor, kontratë shitblerjeje, kontratë sipërmarrjeje, akt marrëveshje, kontratë paraprake, kontratë porosie etj., dhe certifikatën e pronësisë në rastet kur prona është e regjistruar në ZVRPP.

Gjithashtu, për çdo pasuri në pronësi, të paluajtshme, të luajtshme, likuiditete, vlerën e aksioneve, letrave me vlerë dhe pjesët e kapitalit në zotërim etj., subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të duhet të deklarojë burimin, duke bashkëlidhur dokumentacionin ligjor për të justifikuar ligjshmërinë e burimit. Persona të tjerë të lidhur, në kuptim të ligjit nr. 84/2016, datë 30.8.2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, janë personat fizikë dhe juridikë, që duket se kanë ose kanë pasur lidhje interesi me subjektin e rivlerësimit, komisionerin, gjyqtarin ose komisionerin publik që rrjedh nga një interes pasuror ose çdo marrëdhënie tjetër biznesi.

Në udhëzim thuhet se, kur subjekti i rivlerësimit deklaron këto lloj marrëdhëniesh juridike me persona të tjerë të lidhur, ai mbart detyrimin të paraqesë dokumentacionin justifikues ligjor, në momentin e dorëzimit të deklaratës së pasurisë, për pronësinë dhe burimin e krijimit të pronës, që bëhet objekt i kësaj marrëdhënieje me subjektin e rivlerësimit. Më tej sqarohet në udhëzim se, për çdo pasuri në pronësi, të paluajtshme, të luajtshme, likuiditete, vlerën e aksioneve, letrave me vlerë dhe pjesët e kapitalit në zotërim etj., subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të, duhet të deklarojë burimin, në momentin e krijimit për secilën prej tyre, duke bashkëlidhur dokumentacionin ligjor për të justifikuar ligjshmërinë e burimit të krijimit për secilën pasuri, në momentin e fitimit të tyre.

“Deklarimi i pasurive të paluajtshme, të regjistruara ose jo në regjistrat publikë, të shoqërohet me dokumentacionin justifikues ligjor, kontratë shitblerjeje, kontratë sipërmarrjeje, akt marrëveshje, kontratë paraprake, kontratë porosie etj., dhe certifikatën e pronësisë në rastet kur prona është e regjistruar në ZVRPP. Deklarimi i pasurive të paluajtshme në proces legalizimi pranë ALUIZNI-t, të shoqërohet me kopje të të gjithë dokumentacionit të paraqitur pranë këtij institucioni”, thuhet në udhëzimin e firmosur nga z.Ganaj.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: