TIRANE- Kreu i Shtetit, Bujar Nishani, ka reaguar ndaj propozimit të kryeministrit Rama për projektligjin për shpifjen. Duke e cilësuar si një kufizim të lirisë së shprehjes dhe cënim të standardeve demokratike të arritura deri më tani, Nishani thotë se është befasuar nga ky propozim.

Sipas Presidentit Nishani, me këtë projektligj qeveria “kërkon rikthimin e burgimit për gazetarët me pretendimin e luftës ndaj shpifjes”.

“Befasues për mua si qytetar i këtij vendi, por edhe si President i Republikës u shfaq projektligji i qeverisë që kërkon rikthimin e burgimit për gazetarët me pretendimin e luftës ndaj shpifjes. Personalisht një akt të tillë e shoh me preokupim dhe shqetësim. E gjykoj kufizim të lirisë së shprehjes dhe cenim të standardeve demokratike të arritura deri më tash me kontributin e të gjitha palëve politike në vend.

Sigurisht, shpifja është një gjest i ulët kudo dhe kurdo e sidomos kur përdoret mirëfilli për qëllime politike ajo shfaq gjithë shëmtinë e saj. Jo pak herë si politikan, si ministër, si President i Republikës kam qenë dhe vazhdoj të jem objekt i tyre, por kam besuar dhe vazhdoj të besoj se burgosja e një gazetari është burgosje jo vetëm e fjalës, por e vetë lirisë, është goditje e sistemit demokratik, papajtueshmëri me të.

Me fjalën mund të abuzohet dhe çdo abuzim është i kritikueshëm, por me ndrydhjen e saj mund të abuzohet shumë më tepër.

Ndërmjet frikës për t’u shprehur dhe lirisë së shprehjes unë do të bëj çdo ditë të punës sime betejën për këtë të fundit.

Jam i bindur se shqiptarët të cilët 25 vjet më parë, në dhjetor, me protestat e studentëve vranë frikën për të fituar lirinë e fjalës nuk do t’ja dorëzojnë askujt liritë e fituara.

Nuk do ta burgosin fjalën në emër të frikës, por frikën për fjalën”, shkruan Presidenti Nishani në rrjetin social “Facebook”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb