LONDER – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi personalitete të shquara britanike për kontributin e veçantë e të çmuar në forcimin e miqësisë midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, si dhe për promovimin e vlerave historike e kulturore dhe të çështjes shqiptare.

Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër, Kreu i Shtetit Shqiptar vlerësoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Fort të Nderuarin, Lordin Alan Ëatson të Richmond CBE; Fort të Nderuarin, Lordin Michael Bates; Sër Noel Malcolm. Me Dekoratën “Nderi i Kombit” zotin Alexander Duma dhe Dekoratën “Nënë Tereza” zotit David Lloyd. Gjithashtu Presidenti Nishani i akordoi Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” zotit Stephen Nash.

Gjatë ceremonisë së dekorimit të këtyre personaliteteve, Presidenti Nishani u shpreh se: “ne shqiptarët kemi detyrimin që për miqtë që na kanë mbështetur në ruajtjen e identitetit tonë etnik, krijimin e shtetit shqiptar dhe sot për ngritjen e shtetit të së drejtës, të shprehim mirënjohjen tonë më të ndjerë e të thellë”.

FJALA E PLOTE E PRESIDENTIT NISHANI
Sot, kam kënaqësinë e veçantë që në kuadrin e vizitës sime në Londër, të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, mirënjohjen për disa prej miqve më të mirë që shqiptarët dhe Shqipëria kanë në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo miqësi bazohet në një traditë marrëdhëniesh disa shekullore, për të cilët ne shqiptarët kemi detyrimin që për miqtë që na kanë mbështetur në ruajtjen e identitetit tonë etnik, krijimin e shtetit shqiptar dhe sot për ngritjen e shtetit të së drejtës, të shprehim mirënjohjen tonë më të ndjerë e të thellë. Kushdo e kujton gjestin e Lord Beaconsfield (Benjamin Dizraeli), që për të mos lejuar copëtimin e trojeve shqiptare, në vitin 1878 dërgoi flotën britanike për të prishur Traktatin e Shën Stefanit. Dhe, me siguri që Shqipëria e dalë nga Konferenca e Londrës në 1913, do të kishte qenë më e vogël se kjo që është sot, nëse Britania e Madhe nuk do të kishte ndikuar për të kufizuar kërkesat e ndonjë fuqie tjetër të madhe, që kërkonte copëtimin e Shqipërisë. Nuk mund të lë pa përmendur dhe rolin e kontributin e të dërguarve britanikë në thirrjen e Kongresit të Lushnjës dhe në përgjithësi në ndërtimin e institucioneve të shtetit shqiptar në vitet njëzetë. Por dhe ndihmën që Britania e Madhe i dha Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pa harruar aspak se pas luftës, Britania e Madhe ishte fuqia që bëri përpjekje serioze për ta çliruar Shqipërinë nga diktatura staliniste më e egër në Evropë. Një ngjarje tjetër shumë e rëndësishme për shqiptarët, pas shpalljes së Pavarësisë, ishte çlirimi i Kosovës nga regjimi i Millosheviçit dhe Pavarësia e saj, që pa dyshim nuk do të kishte qenë e mundur pa ndihmën shumë thelbësore të Mbretërisë së Bashkuar.
Historia e bashkëpunimit mes dy vendeve është e larmishme. Udhëtarë eksplorues britanikë, udhëtuan nëpër Shqipëri dhe u dashuruan më këtë vend, shkruan për këtë vend dhe e bënë të njohur këtë vend në botë. Ata i mbështetën shqiptarët në përpjekjet e tyre për zhvillim dhe pavarësi. Prandaj nuk mund të lë pa përmendur këtu kontributin e Lordit Byron në prezantimin e shqiptarëve përmes poemës së tij të famshme Child Harold’s Pilgrimage, por edhe të udhëtares e antropologes Edith Durham, që me punën e palodhur e titanike për njohjen e çështjes shqiptare dhe pavarësinë e Shqipërisë, mori titullin honorifik “Mbretëreshë e Malësorëve”. Por, mirënjohje e respekt të veçantë meritojnë edhe shkrimtarë e politikanë të tjerë britanikë, të hershëm apo të sotëm, si Ëilliam Martin Leake, Henry Holland, John Hobhouse, Aubrey Herbert, Oëen Pearson, Koloneli Oakley-Hill, David Smiley e shumë të tjerë. Por sot, përmes dekorimit, dëshiroj të shpreh mirënjohjen për disa prej atyre që aktualisht mbështesin Shqipërinë dhe shqiptarët në përpjekjet e tyre për të qenë pjesë e denjë e vlerave të familjes evropiane dhe euroatlantike. Njerëzit që kam nderin të dekoroj sot, janë ndër ata të cilët, janë angazhuar me pasion dhe përkushtim për të zhvilluar më tej miqësinë e hershme mes dy vendeve dhe dy popujve. Një prej tyre është Fort i Nderuari Lordi Alan Ëatson i Richmondit, i cili është Kryetar i Fondacionit të Kembrixhit, Kryetar Emeritus Ndërkombëtar i Unionit të Anglisht-Folësve dhe President i Shoqatës Britaniko-Gjermane dhe shumë institucioneve të tjera. Ai është një mik i nderuar i shqiptarëve dhe me eksperiencën e tij të gjatë e të shumëllojshme si akademik e politikan, ai ka dhënë një kontribut të veçantë për evidentimin e vlerave shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar. Ndjehemi të nderuar që ai e ka vizituar vendin tonë shpesh dhe që është një njohës shumë i mirë i Shqipërisë.
Po kështu, edhe Fort i Nderuari Lordi Michael Ëalton Bates, Nën-Sekretar Shteti për Çështjet e Brendshme, ka dhënë një kontribut të vyer për njohjen e Shqipërisë. Ashtu si paraardhës të tij britanikë, ai është ndër të vetmit sot, që e ka përshkuar Shqipërinë nga njëri skaj në tjetrin, në këmbë, me rastin e Olimpiadës së Londrës së vitit 2012, duke i dhënë kështu Shqipërisë një vëmendje të madhe në mediat botërore. Si politikan me eksperiencë, ai ka dhënë një kontribut domethënës edhe në jetën politike të Shqipërisë së sotme.
Gjithashtu, historiani dhe gazetari i mirënjohur Sir Noel Malcolm, i cili është dhe President i Shoqatës Anglo-Shqiptare, është një mik tjetër i shquar i shqiptarëve, të cilin kam nderin e veçantë ta dekoroj sot. Kontributi i tij në njohjen e historisë dhe çështjes së Kosovës, meriton një mirënjohje të madhe.
Një tjetër mik i mirë i shqiptarëve është dhe David John Lloyd, i cili meriton plotësisht mirënjohjen e tonë. I dërguar në Shqipëri me detyrë nga Qeveria e Madhërisë së Saj, ai ka asistuar me përkushtim Qeverinë shqiptare në projektet ushtarake dhe të sigurisë. Pas mbarimit të misionit në Shqipëri, ai nuk e harroi atë, por përkundrazi u kthye në një promovues i vlerave historike dhe çështjes shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar. Vendosja e bustit të Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut në Londër, nuk do të kishte qenë i mundur pa përfshirjen intensive dhe shumë bindëse të tij. Për këtë ne i falemi nderit zotit Lloyd.
Një nderim të veçantë meriton dhe zoti Alexander Duma, i cili ka merita të veçanta e të mëdha në rindërtimin e miqësisë shqiptaro-britanike. Ai është një anëtar i vjetër i Shoqatës Anglo-Shqiptare dhe kryetar i saj në vitet 2005-2012. Zoti Duma ka qenë konsull nderi i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar në vitet 1992-94 dhe iniciator i Qendrës për Studime Shqiptare në vitin 1998. Si ekspert në fushën e financave dhe ato ndërkombëtare, gjatë gjithë këtyre viteve ai nuk ka reshtur së promovuari vlerat dhe potencialet e Shqipërisë.
Dhe së fundmi, por jo më pak i rëndësishëm është diplomati i shquar, zoti Stephen Nash, i cili gjatë kohës që ka shërbyer në Shqipëri në emër të Qeverisë së Madhërisë së Saj, fillimisht si i Ngarkuar me Punë e më pas Ambasador, ka dhënë një kontribut të shquar në forcimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve. Ai është personi që hapi përfaqësinë diplomatike britanike në Shqipëri në fillim të viteve nëntëdhjetë dhe vuri themelet e reja të këtij bashkëpunimi.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të dashur miq,
Shqiptarët ndihen të nderuar të kenë miq të tillë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në botë. Për kontributin dhe aktivitetin e tyre në promovimin e vlerave historike, kulturore dhe nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, ata e meritojnë plotësisht mirënjohjen time si Kryetar Shteti dhe të gjithë shqiptarëve. Ju faleminderit!”

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: