TIRANË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka theksuar edhe njëherë sot vendosmërinë e tij për kryerjen e reformës në drejtësi, si një nga prioritetet e vitit 2015. Nishani ka shfrytëzuar pritjen e përvitshme të presidencës me ambasadorët e akredituar në vendin tonë, duke ndarë me të pranishmit edhe 3 mesazhe që i shërbejnë luftës ndaj terrorizmit që shfaqet çdo herë në forma të reja.

Kreu i shtetit ka siguruar diplomatët për vullnetin e tij për thellimin e marrëdhënieve me ta, në të mirë të qytetarëve.

“Ju falënderoj për bashkëpunimin e ngushtë gjatë vitit të shkuar dhe vlerësoj lart rezultatet e përpjekjeve tona të përbashkëta. Diplomatët luajnë një rol me vlerë të jashtëzakonshëm, në forcimin dhe formimin e këtyre marrëdhënieve. Ju siguroj për vullnetin tim të palëkundur për thellimin e këtyre marrëdhënieve në të mirë të qytetarëve tanë”, tha Nishani.

Presidenti e nisi fjalën e tij nga sulmet terroriste në Francë duke u solidarizuar me ambasadorin francez. “Java që shkoi u shënua nga një ngjarje thellësisht tronditëse për një vend mik, një anëtare themeluese të BE-së, një kërcënim për lirinë dhe çdo vend të lirë, nga një sulm barbar ndaj revistës “Charlie Hebdo” që përshkallëzoi në një pengmarrje. Ky akt tejet i rëndë, që u dënua me forcën dhe ashpërsinë më të madhe nga të gjithë autoritetet dhe populli shqiptar, buçiti si një kambanë alarmi e përtejkufijshme jo vetëm sepse u rrek të godiste një vlerë të paçmuar si liria, në zemër të një vendi – shembull frymëzues të lirisë, por edhe sepse na rikujtoi edhe një herë të gjithëve, se sa e brishtë është bota në të cilën jetojmë dhe, sesa brenda e pranë nesh, mund të jetë rreziku që na kanoset”, tha Kreu i Shtetit.

Nishani u shpreh se viti i kaluar ka qenë i mbushur me sfida për paqen dhe se nënvizoi nevojën për bashkëpunim.

“Ndaj mesazhet që dua të ndaj me ju, janë: së pari solidaritet me Ambasadorin e Francës, si përfaqësues i një vendi mik. Solidarizohemi me ju zoti ambasador, jo vetëm me dhimbjen e madhe, por edhe me dënimin e prerë të akteve terroriste. Së dyti, një mesazh bashkimi rreth vlerave të larta njerëzore, veçanërisht lirisë, së shprehjes, besimit, që na mbledhin në një bashkëjetesë të domosdoshme. Pjesëmarrja dhe ecja krah për krah e përfaqësuesve të besimeve fetare islame dhe të krishtera të Shqipërisë në marshimin e paqes në Paris, ishte një mesazh modest, simbolikë pikërisht e asaj që mundi të ringjallë e bashkojë liria në Shqipëri, edhe pas vuajtjesh të patregueshme nga një regjim barbar 50-vjeçar, vëllazërimi fetar. Së treti, një mesazh bashkëpunimi të gjithanshëm për të identifikuar, kuptuar e luftuar më mirë rrezikun që na shfaqet në forma gjithmonë të reja e sfiduese, por që së bashku mund të parandalohet vendosmërisht më shpejt, më lehtë, e me sukses. Edhe vitin që lamë pas, ka qenë vit i mbushur me sfida port paqe, sigurinë etj”, u shpreh presidenti Nishani.

Kreu i Shtetit tha gjithashtu se anëtarisimi në NATO është përgjegjësi për Shqipërinë dhe se zgjerimi i mëtejshëm i kufijve të kësaj aleance prodhon stabilitet e siguri për rajonin.

“Shqipëria u rreshtua në krah të aleatëve, njëkohësisht partnerit strategjik SHBA, ndaj terrorizmit, ISIS, radikalizmit. Anëtarësimin tonë në NATO, më shumë se çdo gjë tjetër e kemi parë dhe e shohim si përgjegjësi. Në kemi kundërshtuar aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Federata ruse. Zgjerimi i mëtejshëm i kufirit të NATO-s brenda rajonit tonë, prodhon më shumë stabilitet e siguri për Europën në tërësi”, theksoi presidenti në pritjen me diplomatët.

Nishani nuk harroi të përmendte edhe marrjen e statusit kandidat për në Bashkimin Evropian të Shqipërisë, për të cilën tha se integrimi është e vetmja alternativë e të ardhmes. “Ngjarja më e spikatur për Shqipërinë e shqiptarët, ishte ajo e qershorit, një hap më para në procesin jo të lehtë të integrimit evropian. Ju garantoj se integrimi evropian, mbetet palëkundur e vetmja alternativë e së ardhmes së Shqipërisë. Integrimi evropian, zgjedhja e klasës politike dhe e qytetarëve shqiptarë. Në këtë optikë, vendosja e shtetit ligjor sot e gjithë ditën, maturimi në politikëbërje në standardin evropian dhe angazhimi më aktiv civil janë sfida sa të hershme aq edhe kokëfortësisht aktuale të vendit. Është jo vetëm pritshmëria ime apo juaja, por është një domosdoshmëri kombëtare që viti 2015 të shenjojë një pikë kthese në drejtim të ndërtimit të një kulture politike më bashkëpunuese e konsensuale, në shërbim të qytetarëve shqiptarë dhe procesit të integrimit evropian të vendit”, tha Nishani.

Presidenti i Republikës tha se integrimi në BE kërkon angazhim dhe përkushtim politik për përmbushjen e kritereve, duke përmendur si më kryesore reformën në drejtësi. “Përqendrimi në plotësimin e 5 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë, do të jenë në qendër të vëmendjes sime si President i Republikës, dhe në krye të punëve të të gjithë aktorëve të tjerë shtetërorë dhe joqeveritarë. Ndër to, nuk do të rresht e as hezitoj së theksuari se përparësi absolute duhet të ketë reforma në drejtësi, për ta sjellë sistemin tonë të drejtësisë në cilësinë evropiane të shërbimit ndaj qytetarëve dhe të parimeve të së drejtës. Hapja e negociatave me BE-në, hapi tjetër cilësor për kryerjen e reformave të thella, ndoshta më të dhimbshme por të domosdoshme. Këtë mesazh na e transmetoi qartësisht BE. Nisur në Samitin e Presidentëve në Dubrovnik, e përvijuar me atë të Kryeministrave dhe Ministrave të Jashtëm e të Ekonomisë në Berlin, Kancelarja Merkel, me dakordësinë e plotë të BE-së, na rikonfirmoi perspektivën e qartë evropiane që ka Shqipëria dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor”, tha Nishani.

NISHANI: AVOKATURË PËR SHQIPTARËT NË MAL TË ZI, PRESHEVË E MAQEDONI

Presidenti Bujar Nishani u shpreh se Shqipëria e konsideron si përparësi kryesore ruajtjen e marrëdhënieve të miqësisë së mirë midis vendeve të rajonit por njëkohësisht është në mbrojtje të interesave të shqiptarëve kudo që janë. “Politika jonë e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal shoqërohet me avokaturën e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi e kudo që janë. Serbia të reflektojë në raport me qytetarët e Preshevës, për përmirësimin e kushteve ekonomike, arsim, shëndetësi etj. Mbetemi të bindur se zbatimi i shpejtë dhe i plotë i marrëveshjes së Ohrit është kusht për të përmbushur dhe vënë në jetë të drejtat e shqiptarëve atje. Ne do të vazhdojmë të mbështesim pjesëmarrjen e Kosovës me të drejta të plota në të gjitha forumet, evropiane dhe ndërkombëtare”, theksoi Kreu i Shtetit.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb