Ish-presidenti i Republikës Bujar Nishani shkruan në profilin e tij në “Facebook” se policia po i hedh “tym” publikut me historinë e përplasjes me armë zjarri me bandën.

Sipas Nishanit, grabitja në mes të ditës është një ngjarje e rëndë, kurse thotë se ngjarja dëftoi se bandat dhe terroristët në vend nuk kanë frikë nga askush. Për të, një qeverisje e ardhur nga krimi pjell vetëm krim.

Statusi i Nishanit:

Tentativa për ti hedhur tym publikut me gjoja “shkëmbime zjarri” nga policia me bandën terroriste që grabiti avionin Austrian Airlines, është po aq kriminale sa grabitja e miliona parave prej bandës, që tashmë do të paguhen nga taksat e njerëzve të thjeshtë.

Nëse do të kishte patur një shkëmbim zjarri, ai do të kishte ndodhur përpara se banda të mbërrinte tek avioni.

Por në fakt ky nuk është problemi i vërtetë e më madhori.

As ai i mosmarrjes së masave pas disa grabitjesh spektakolare në mes të ditës, e në mes të kryeqytetit.

Këto probleme mbeten në hije nga thelbi i revanshit të krimit dhe terrorit.

Çështja themelore është sepse bandat dhe terroristët e këtij lloji siç ishte dhe ai i fundit, nuk kanë frikë nga askush.

As nga shteti, as nga ligji, as nga policia, as nga ruajtja e as nga siguria.

Sepse ata askush nuk i ndjek, askush nuk i heton, askush nuk i shqetëson, askush nuk i turbullon.

Një qeverisje e ardhur nga krimi pjell vetëm krim, bashkëjeton vetëm me krimin dhe prodhon veç terror.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb