TIRANE- Presidenti Bujar Nishani priti sot në një takim ministrin italian të Drejtësisë, zotin Andrea Orlando, i cili viziton vendin tonë në kuadër të aktivitetit ndërkombëtar “Paqja është gjithmonë e mundur”, që po zhvillohet këto ditë në Tiranë.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës mes tyre u përqendrua rreth situatës në të cilën ndodhet sot sistemi ynë i drejtësisë, dhe më specifikisht rreth nevojës për kryerjen e reformave në këtë sistem. Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit shpalosi përpara bashkëbiseduesit të tij rëndësinë që kjo reformë ka për vetë sistemin dhe çuarjen përpara të zhvillimit në tërësi të shoqërisë dhe shtetit shqiptar. Në vijim, Presidenti Nishani nënvizoi rëndësinë që procesi i hartimit të reformës në drejtësi të jetë gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e forcave politike si dhe duke thithur dhe përfshirë mendimet e ekspertëve të fushës, të pavarur nga politika dhe të painfluencuar nga konfliktet e interesit. “Në këtë kontekst, prezenca dhe përfshirja e organizatave partnere ndërkombëtare prezente në Shqipëri është një element që rrit sigurinë dhe besueshmërinë në hartimin dhe zbatimin e kësaj reforme. Vetëm kështu do të mund të kthejmë besimin e qytetarëve tek drejtësia ku qytetarët të shohin se gjyqësori është i pavarur nga politika dhe vepron mbi bazën e profesionalizmit dhe mbi standarde të njëjta.” – u shpreh ndër të tjera Kreu i Shtetit, duke i kërkuar gjithashtu Ministrit Orlando angazhimin e Italisë si një zë i fuqishëm përgjatë këtij procesi shumë të rëndësishëm, çka paraqitet dhe si një nga sfidat kyçe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Përgjatë takimit të dy bashkëbiseduesit ndanë mendime rreth fuqizimit të bashkëpunimit të mëtejshëm ekonomik dhe mbështetjes së bizneseve italiane që operojnë apo që kanë shfaqur interes për të investuar në Shqipëri në fushat e energjetikës, infrastrukturës, turizmit dhe bujqësisë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: