TIRANE– Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka uruar sot homologen e tij kosovare për pranimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, me statusin e vëzhguesit. Nishani tha se pranimi i Kosovës në këtë organizëm, i shërben njohjes së saj në organizatat e tjera ndërkombëtare.

“E nderuara Zonja Presidente, pranimi i Republikës së Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, me statusin e vendit vëzhgues, më dha një gëzim shumë të madh dhe gjithashtu, kënaqësinë e veçantë për t’ju përcjellë juve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, urimet e mia më të mira për këtë ngjarje. Pranimi në këtë organizatë është një hap tjetër shumë i rëndësishëm për njohjen e mëtejshme të Republikës së Kosovës në arenën dhe organizatat ndërkombëtare”, i është drejtuar Nishani presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kreu i Shtetit, tha se ky hap përbën një mbështetje të aspiratave të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, për të zënë vendin e merituar mes vendeve të tjera të lira

“Me besimin e plotë se shumë shpejt Republika e Kosovës do të jetë anëtare edhe në organizata të tjera ndërkombëtare, ju lutem pranoni edhe njëherë, e nderuar Zonja Presidente, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” – thuhet në mesazhin e Presidentit Nishani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb