Nga: VALENTINA MADANI*
TIRANE – Presidenti i Republikës,Bujar Nishani pritet të dekretojë brenda kësaj jave Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që është fokusuar te tri kandidatura. Sipas burimeve mësohet se kandidatët janë: Arjan Kadare, Genti Sejko dhe Nik Markola. Burime brenda Presidencës bëjnë me dije se të tri emrat kanë mbërritur në fund të procesit të seleksionimit nga ana e presidentit, të mbi 40 CV-ve të paraqitura në aplikimin online. Arjan Kadare është një emër i njohur në fushën e eko-nomi- financës në vend. Ai aktualisht është pedagog në një institut privat në Tiranë dhe më herët ka qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Genti Sejko është zv/drejtor i një banke të nivelit të dytë në Tiranë. Nik Markola është drejtor menaxher i “Field Point Bank& Trust Gree-nëich” në Nju Jork, SHBA. Ky i fundit ka edhe nënshtetësinë shqiptare, një kusht kyç ky në fakt i proklamuar nga presidenti Nishani për Guvernatorin e ri të Bankës. Të tre kandidatët, të cilët mbërritën në fazën finale të seleksionimit janë në pritje të vendimit nga ana e presidentit Nishani dhe janë shprehur të gatshëm për pozicionin e ri që mund të marrin. Tri emrat e mësipërm, Presidenti i Republikës do t’ua bëjë të njohur edhe krerëve të politikës përpara se të vërë firmën ne dekret. Dekreti i presidentit më pas do të kalojë për votim në Kuvend. Nuk dihet ende nëse mazhoranca do të votojë për një mandat të plotë, pra 7-vjeçar, për kreun e ri të Bankës së Shqipërisë apo thjesht do t’i lihet periudha katërvjeçare e mbetur nga mandati i ish-guvernatorit Fullani. Pritet që ketë vendim mazhoranca ta marrë në varësi të emrit që do të jetë në dekretin e presidentit. Kreu i shtetit, Bujar Nishani, zhvilloi ditë më parë konsultime me figurat kryesore të politikës Rama, Meta e Basha, për çështjen e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, bëri të qartë se mazhoranca nuk ka një emër për postin e guvernatorit, por ka vullnet për të gjetur konsensus. “Natyrisht që ne do të respektojmë të drejtën kushtetuese të presidentit dhe shpresojmë dhe do të ofrojmë të gjithë bashkëpunimin tonë që ky emër të jetë një garant i drejtimit profesional të Bankës së Shqipërisë dhe i ruajtjes së pavarësisë së këtij institucioni. Është një proces vullnetmirë për të shkuar drejt konsensusit”, deklaroi Meta. Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar katër takime me presidentin për çështjen e guvernatorit, ndërkohë që kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka zhvilluar dy takime për këtë çështje me kreun e shtetit. Emrat e tre kandidatëve tani kreu i shtetit do t’ua bëjë të njohur edhe krerëve të politikës përpara se të vërë firmën në dekret.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)




Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb