BRUKSEL

Gjashtë kryeministrat pjesë e tre forcave kryesore të politikës europiane do të mblidhen sot në mbrëmje në Bruksel, me objektivin për të çuar përpara negociatat e tendosura për të vendosur mes pretendentëve për postet më të larta të BE-së.


Çështja kryesore e darkës informale do të jetë pasuesi i Jean-Claude Juncker në krye të Komisionit, por diskutimet përfshijnë edhe poste të tjera si presidenca e Këshillit dhe e Parlamentit Europian ose më tej edhe drejtimi i Bankës Qendrore Europiane (BQE).


Në tryezën e diskutimeve kryeministri belg, Charles Michel ka ftuar homologun liberal holandez, Mark Rutte si dhe dy krerët e qeverisë socialiste, spanjollin Pedro Sanchez dhe portugezin Antonio Costa, dhe dy të PPE (e djathta), kroatin Andrej Plenkovic dhe letonin Krisjanis Karins.


Këto gjashtë personalitete janë negociatorët e përcaktuar nga tre familjet politike të cilat përbëjnë grupimet më të mëdha brenda Parlamentit të ri Europian, dalë nga zgjedhjet në fund të majit./ATA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb