Presidenti iranian, Hasan Rohani ka thënë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se Irani nuk do të negociojë një marrëveshje të re bërthamore, për aq kohë vendi i tij të përballet me sanksione dhe ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “terrorizëm të pamëshirshëm ekonomik”.

Irani i ka rezistuar “terrorizmit më të pamëshirshëm ekonomik”, ka thënë Rohani para liderëve botërorë në selinë e OKB-së në Nju Jork më 25 shtator. Tensionet në mes të Teheranit dhe Uashingtonit janë përshkallëzuar prej kur Shtetet e Bashkuara janë tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Përveç largimit, Shtetet e Bashkuara kanë rikthyer dhe shtuar sanksionet ndaj Iranit, duke i shënjestruar eksportet e naftës dhe sektorin bankar, ndërkohë që Teherani është tërhequr nga disa pika të marrëveshjes bërthamore.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se dëshiron të rinegociojë marrëveshjen bërthamore, meqë sipas tij kushtet e saj nuk kanë qenë mjaftueshëm të ashpra për të parandaluar Iranin në zhvillimin e armëve bërthamore apo që të pajtohet për të mos zhvilluar programin raketor.

Irani në anën tjetër ka refuzuar negociata të reja, duke shtuar se programi raketor ka qenë qëllime të energjisë. Tensionet në mes të këtyre dy palëve janë përkeqësuar edhe më shumë pas sulmeve të 14 shtatorit në rafineritë saudite të naftës.

Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe disa vende perëndimore kanë fajësuar Iranin për këto sulme, derisa ky i fundit ka mohuar vazhdimisht akuzat. /Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: