* Nishani: Feja islame, në thelbin e saj ka dinjitetin, respektin ndaj individit dhe tolerancën

* Erdogan: Këtë xhami e shikoj si tregues të unitetit tonë, që ndodhet pranë kishës, shembull i urtësisë së popullit shqiptar

TIRANE- Presidenti turk, Erdogan ka bërë deklarata të forta gjatë ceremonisë për nisjen e punimeve në xhaminë e Namazgjasë. Pas vlerësimit të marrëdhënieve të dy vendeve dhe dy popujve, Erdogan tha se në Turqi janë krijuar struktura paralele që konsiderohen organizatë terroriste për shtetin turk dhe se kjo organizatë ka veprimtari edhe në Shqipëri. Erdogan nuk përmendi me emër organizatën që nënkuptohet “Gylen” por u shpreh se Turqia është e aftë të sigurojë të gjitha shërbimet që kjo organizatë ka në Shqipëri. Ai tha se për këtë çështje ka diskutuar edhe me Nishanin dhe Ramën dhe qëndrimi duhet të jetë i qartë.

“Ju jeni në dijeni që në vendin tonë po luftojmë kundër një strukture paralele që është krijuar. Ne e konsiderojmë zyrtarisht atë si një organizatë terroriste që kërcënon vendin tonë, popullin tonë. Luftën kundër kësaj organizate do ta vazhdojmë pa ndërprerje. Unë e di që kjo strukturë ka veprimtarinë edhe në Shqipëri. Unë me vëllezërit e mi të vyer, zotin Nishani dhe zotin Rama e trajtova këtë çështje dhe kam bindjen që ata do të bëjnë atë që duhet. Unë kam bindje e plotë se institucionet shqiptare nuk do të tolerojnë këtë organizatë dhe anëtarët e saj. Turqia me kryesinë e çështjeve fetare dhe me institucionet e tjera është e aftë të sigurojë të gjitha ato shërbime që kjo organizatë ka bërë këtu në Shqipëri. Për këtë çështje duhet të jemi të qartë, duhet ta kemi të qartë”, ka deklaruar Erdogan.

Ndërsa Presidenti Bujar Nishani tha se “Shqipëria është model i bashkëjetesës fetare”, gjatë fjalës së tij në çeljen e punimeve për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, për të cilën shteti turk ka akorduar një fond prej 30 milionë eurosh.

Teksa falënderoi për praninë e tij, homologun turk, Recep Tayyip Erdogan, Nishani theksoi se ndërtimi i kësaj xhamie do të zgjidhë shumë probleme me të cilat hasen sot besimtarët myslimanë shqiptarë.

“Ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe ndihmën e pakursyer për ndërtimin e këtij kulti kaq të nevojshëm për besimtarët myslimanë shqiptarë. Diktatori Enver Hoxha persekutoi besimtarë myslimanë. Në këtë vend, shqiptarët i drejtoheshin zotit, në heshtje gjatë ditëve të egra, ndaj kuleteve shqiptare.”, tha Nishani.

Presidenti Nishani, risolli në vëmendje vuajtjet e besimtarëve myslimanë dhe jo vetëm gjatë regjistrimit të egër të diktaturës komuniste, ndërsa theksoi se pavarësisht besimit që i përkisnin, ata vendosën të bashkëjetonin mes tyre në qeli.

“Jam tepër i lumtur dhe i nderuar zoti president që bashkë me ju finalizojmë fillimin e punimeve për besimtarët myslimanë shqiptarë. Shqipëria është një model i bashkëjetesës shqiptare. Jo vetëm ne gëzojmë dhe respektojmë në liri besimin e njëri-tjetrin, por dhe gjatë periudhës komuniste, ku pjesëtarë nga të gjitha fetë u persekutuan, shumë prej tyre shkuan drejt kuadrave të pushkatimit, apo ndanë qelitë, së bashku, pavarësisht fesë që i takonin”, tha Nishani duke shtuar se “Këtë e bënë në emër të Zotit, në emër të lirisë”.

Presidenti risolli në vëmendje kohën e diktaturës duke deklaruar se për gati një çerek shekulli Shqipëria përjetoi një masakër çnjerëzore ndaj besimit. “Me qindra faltore u rrafshuan për të çrrënjosur besimin nga shqiptarët. Kjo arsye e bën edhe më të rëndësishme këtë faltore që ju besimtarëve shqiptarë ju dhurohet, juve që ruajtët me dinjitet Zotin brenda vetes suaj, brenda shpirtit tuaj edhe në ditët më të vështira të diktaturës. Juve që transmetuat me devotshmëri brez pas brezi, ndjenjat dhe mësimet e vyera të fesë islame, si fe që në thelbin e saj ka dinjitetin, respektin ndaj individit dhe tolerancën”, theksoi Kreu i Shtetit.

Nishani tha se kjo xhami është shprehje e gatishmërisë së komunitetit mysliman të Turqisë për të ndihmuar shqiptarët.

“Kjo xhami që ne sot po i vëmë në mënyrë simbolike gurin e themeli është shprehje e vullnetit, është shprehje e gatishmërisë më të lartë të komunitetit mysliman të Turqisë për të ndihmuar shqiptarët dhe veçanërisht besimtarët myslimanë të vendit tonë. Historia ndërmjet dy popujve tanë është një histori e gjatë, ku kemi marrë e dhënë nga njëri-tjetri, por mbi të gjitha një miqësi tradicionale. Respekti reciprok për vlerat dhe kulturën e njëri-tjetrit, një lidhje e veçantë, ku liria paqja dhe siguria janë në themelet e saj. Kjo është një miqësi që po përpiqemi ta kultivojmë së bashku në kushtet e një globalizmi. Le të jetë Xhamia e Namazgjasë, kjo foltore e merituar dhe e vonuar, një gur i shtruar në autostradën e miqësisë së sinqertë. Për një Ballkan dhe Europë më të mirë, më të paqtë dhe më të sigurt”, tha Presidenti i Republikës duke ja lënë foltoren homologut të tij turk.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan përshëndeti presidentin Nishani dhe të pranishmit, duke përcjellë edhe përshëndetjet e popullit turk, ndërsa theksoi se kjo xhami do të jetë simbol i veçantë i marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Përshëndes vëllezërit tanë myslimanë dhe ju sjell përshëndetjet më të mira të popullit turk. I lutemi Zotit që këtë ceremoni që organizohet sot për xhaminë e Namazgjasë të sjellë përfundimin e saj sa më të shpejtë. Ne dëshirojmë që të gjitha lutjet dhe faljet që do të bëhen në këtë faltore, të dëgjohen nga Zoti. Kjo xhami që do ti shërbejë gjithë Tiranës, është një punë e mirë e Këshillit të Vakëfit të Turqisë. Xhamia e Namazgjasë së Tiranës do të ndërtohet me kontributin dhe ndihmat e të gjithë shtetasve tanë në Turqi. Kjo xhami, ku do të falen 5 mijë persona do të jetë një simbol i veçantë i marrëdhënieve tona. Këtë xhami e shikoj si tregues të unitetit tonë. Që kjo xhami ndodhet pranë kishës, është një shembull mjaft i mirë i urtësisë së popullit shqiptar. Kam bindjen se edhe muzeu i bashkëjetesës që do ndërtohet pranë kësaj xhamie është shembull i qartë e kuptimplotë. Unë e falënderoj presidentin Nishani. Dua të shpreh mirënjohjen time të veçantë për kryeministrin e Shqipërisë, mikun tim Edi Rama, me të cilin kur isha kryeministër kam bashkëpunuar shumë për ndërtimin e kësaj xhamie. Uroj që ndërtimi i kësaj xhamie do të jetë një arsye për të na afruar më shumë, për të na lidhur më shumë”, tha Erdogan.

Ai solli në vëmendje shumë personalitete të Turqisë me origjinë shqiptare që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë vend. “Të dashur vëllezër, ndërtuesi i xhamisë së Sulltan Ahmet, që konsiderohet si bebja e syrit të Stambollit, është vepër e një shqiptari. Autori i romanit të parë turk, autori i enciklopedisë së parë turke është Shemsedin Sami Frashëri.

Shkruesi i himnit tonë, babai i tij ka qenë nga Kosova. Rektori i parë i Universitetit turk është shqiptar, Hoxha Tahsin nga Janina. Ka edhe të tjerë. Në Islam nuk ka ndarje ka vetëm unitet. Gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, 35 shqiptarë kanë qenë kryeministra. Edhe milion shtetas turq me origjinë shqiptare kontribuojnë që nga politika, në tregti, sport, e art. Ne për 600 vjet kemi mbërritur sot së bashku me vëllezërit tanë shqiptarë dhe bashkë me ta do shkojmë drejt së ardhmes. Ne përpiqemi që këtë lidhje të fuqishme ta vazhdojmë ndërmjet vendeve tonë. Dhe unë kam bindjen se pas vitit 1991 janë arritur zhvillime të rëndësishme”, tha ai.

Sipas Erdogan “Turqia që ndjek politikën në favor të paqes e stabilitetit në Ballkan, gjithmonë ka qenë pranë Shqipërisë”. “Ne këtu e ndjemë veten gjithmonë si në shtëpinë tonë. Unë kam bindjen se edhe vëllezërit tanë shqiptarë kur vijnë në Turqi e ndiejnë veten si në shtëpinë e tyre. I nderuar President, të ftuar të vëllezër të mi, në çdo cep të Shqipërisë mund të gjejmë gjurmë të kulturës sonë.  Pas pak do të shkojmë të bëjmë hapjen në xhaminë e Prezës. Në Elbasan kemi përfunduar restaurimin e një xhamie dhe në Korçë gjithashtu. Brenda një kohe mjaft të shkurtër do të përfundojmë restaurimin e xhamisë së Ethem Beut, simbolit të Tiranës. Dëshiroj tju bëj me dijeni se është duke përfunduar projekti për restaurimin e një prej qyteteve më të bukura, atij të Gjirokastrës. TIKA, agjencia turke për Koordinim ka realizuar 265 projekte që përfshin fusha të ndryshme. Kohët e fundit përfundoi projektin për Spitalin e Kukësit. Edhe në të ardhmen do vazhdojmë të jemi pranë vëllezërve tanë shqiptarë”, tha presidenti i Turqisë.

Nga ana tjetër, presidenti Erdogan theksoi se shërbimi më i mirë që mund ti bëjnë dy shtetet njëri-tjetrit, është të ndihmojnë sa më shumë. Ndërkohë, Erdogan nuk ka kursyer as batutat gjatë fjalës së tij, teksa fliste për zbatimin e projektit për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë. Erdogan pohoi se shpreson që ‘të bëjmë pak pazarllëk, që vitin tjetër, namazin e të premtes ta mbajë në këtë xhami’.

“Rizën nuk ka asnjë dallim nga Tirana. Nuk ka asnjë ndryshim midis shërbimeve që mund ti bëjë një tjetri, dhe vëllezërve të mi shqiptarë. Të gjithë duhet të besojmë në këtë gjë, është që ta ndihmojmë sa më shumë. Ne do vazhdojmë të gjithë punën tonë, me të gjitha gjurmët e përbashkëta. Unë shpresoj që gjatë vizitës sime të ardhshme, namazin të premtes ta mbajë në këtë xhami. mesa duket për ketë çështje, duhet të bëjmë një pazarllëk, për kohën e ndërtimit. Prandaj, ne duhet ta mbarojmë sa më shpejt këtë vepër. Dua t’ju them kryesisht së çështjeve fetare turke dhe arkitekti se keni bërë një projekt madhështor dhe ky projekt arkitektonik do ketë forcë tërheqëse. Dua të falënderoj kryesinë e çështjeve fetare për këtë shërbim të dobishëm. Dua të shpreh mirënjohje për shtetin shqiptarë,dhe qeverinë shqiptarë që gjithë përpjekjet tona nuk na i kanë lënë pa përgjigje.’, theksoi Erdogan.

Më tej, Erdogan deklaroi se: “I lutemi zotit që ky solidaritet midis vendeve tona edhe në të ardhmen të vazhdojë kështu.”. Në mbyllje të ceremonisë për çeljen e ndërtimit të këtij kulti fetar, të gjithë të pranishmit kryen faljen.

(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: