Kamarieret e restorantit koreano-verior në Vladivostok më kot përpiqen të shfaqin një buzëqeshje profesionale, pasi kur i pyet se çfarë mendonin rreth vizitës së liderit të tyre, Kim Jong Un në këtë port rus të Lindjes së Largme ruse, ato e kyçin gojën.


”Unë nuk di rusisht”, pohon njëra prej tyre, e cila ndërkohë përdorte këtë gjuhë për të marrë urdhrat, në këtë restorant me mure të mbuluara me piktura që mburrin arritjet dhe sukseset e Republikës Popullore Demokratike të Koresë.


Në menu, pjata tradicionale koreane ”kimshi” (pjata e famshme e përgatitur me perime të thara në kripë dhe perime turshi, më e zakonshmja rrepka koreane shoqëruar me erëza të ndryshme) që shoqëron pjatat më të rafinuara si edhe një supë me pendë peshkaqeni.


Prania në Vladivostok e një restoranti koreano-verior, i shfrytëzuar nga regjimi, dëshmon lidhjet e ngushta që ekzistojnë mes këtij qyteti me 600 000 banorë dhe regjimit të izoluar.

Kufiri nuk është më shumë se 200 kilometra larg, çka e shndërroi qytetin në vendin ideal të takimit të parë mes Vladimir Putinit dhe Kim Jong Unit.

Lideri i ri, 35 vjeç, ndoqi në bordin e trenit të blinduar, të njëjtën rrugë si ajo e përshkuar më parë nga i ati dhe gjyshi i tij për të takuar liderët sovjetikë apo ata rusë./ATA