Kreu i FRPD-së, Besart Xhaferri, në programin për rininë, ka pohuar se me ardhjen në pushtet do të jepet deri në 30 mijë euro grant për të rinjtë që duan të blejnë shtëpinë e parë.
“Prej dy vitesh kam ngritur zërin se pastrimi i parave në ndërtim është biznesi i Edi Ramës, teksa koha më dha të drejtë dhe vetë Rama po e konfirmon çdo ditë, madje është e vetmja pikë në programin tonë që nuk e ka vjedhur.
Emisioni “Lo stato delle cose” në RAI tre në Itali ka denoncuar pastrimin e parave në Shqipëri, kryesisht në sektorin e ndërtimit. Këtë fakt ia kam pohuar edhe Ministrit të Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, gjatë një takimi që kam zhvilluar me të në Romë.
Atë fenomen që e censurojnë mediet kombëtare pasi e dinë se është biznes i Edi Ramës janë mediet ndërkombëtare që po e denoncojnë, duke faktuar se janë paratë e drogës që pastrohen në këtë sektor, ku Edi Rama merr pjesën e Luanit.
Përballë projektit të Edi Ramës për pastrimin e parave në ndërtim ne kemi projektin “një çati për çdo çift të ri”.
Sot do prezantojmë programin tonë, që do ta kthejë Shqipërinë në vendin ku të rinjtë të duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre, se kjo tokë nuk do jetë kurrë privilegj i petaleve që kur rriten bëhen dele, po do jetë toka e shqiptarëve të lirë.
Sot ne në prani të kreut forcës sonë politike Sali Berisha shpalosëm programin për rininë, që ka vetëm një mision, kurimin e plagës së eksodit të rinjve shqiptar.
Në një kohë që Edi Rama po mbron me thonj biznesin e tij të pastrimit të parave në ndërtim, biznes që ka lënë pa shtëpi mijëra të rinj dhe i ka ekspozuar përballë qirave të shtrenjta, ne kemi mendar të ofrojmë modelin hungarez që ndihmon të rinjtë të bëhen pronarë të një banesë.
Qeveria Berisha 3 do financojë 20% të vlerës për blerjen e një banese ose 30 mijë euro me zero interes. Kjo është një nisëm humane dhe kur këto çifte bëhen me 3 fëmijë, ne do tu zerojmë këtë kredi!” – u shpreh Xhaferri.
(BalkanWeb)