Sot do të zbresin në fushë dy skuadra të përbetuara për rivalitet mes tyre që nga gjeneza. Tirana dhe Partizani do të luajnë kundër njëra-tjetrës për herë të 149-të, mirëpo këtë herë do të jetë më shumë sesa thjesht ndeshje. Më shumë sesa thjesht përballje futbollistike.

Më shumë sesa derbi. Madje, do të jetë një derbi ekstrem! Mjaft të shohësh situatën e secilit klub që nga organigrama e punonjësve, statistikat e paraqitjeve të fundit, apo edhe thjesht organikës së lojtarëve që kanë në përbërje, vihen re diferenca të skajshme.

* Që në krye të herës, ekstremi fillon me titullin. Të kuqtë e kanë fituar kampionatin e fundit 24 vite më parë, ndërkohë që bardheblutë numërojnë 24 të tillë në tavolinën e tyre të trofeve.

* Derbi ekstrem për nga sjellja që do të kenë “ekstremistët” e secilës skuadër. Ultrasit e kuq do të jenë në stadium, gjithsesi të kujdesshëm si kurrë më parë në këtë takim për të shmangur rrezikun e mungesës ndaj Kukësit, ndërkohë që në anën tjetër, ultrasit bardheblu kanë deklaruar se i qëndrojnë bojkotit.

* Një tjetër dallim i madh mes këtyre dy skuadrave ka të bëjë me faktin që Partizani nuk ka ende një stadium të vetin në pronësi, luan ndeshjet si pritëse në kryeqytet dhe me praninë e sportdashësve dhe ultrasve. Nga ana tjetër, Tirana e ka tashmë një stadium nën menaxhim, luan në kryeqytet, por me mungesën e mbështetësve kryesorë në shkallët e impiantit.

* Tabela e Kategorisë Superiore mund të ketë shënuar diferenca të ndryshme të këtyre dy ekipeve, por kjo përballje i gjen ekipet 30 pikë larg njëra-tjetrës.

* Diferenca aktuale mes ekipeve është aq e madhe, saqë Partizani ka marrë 7 pikë në tri ndeshjet e fundit, ndërkohë që Tirana ka luajtur 13 ndeshje për të marrë gjashtë.

* Sa u përket objektivave, ekstremi qëndron në faktin që të dyja kryeqytetaset luftojnë për dy trofetë e sezonit në Shqipëri. Partizani e ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës dhe po tenton titullin, ndërkohë që Tirana me një ndeshje të vetme mund të arrijë të gjithë realizimet e sezonit: Fitimi i Kupës i jep një trofe, si dhe pjesëmarrjen në Ligat e Europës.

* Për bardheblutë, nuk është derbi ekstrem vetëm se nuk kanë fituar një ndeshje në 13 javët e fundit në kampionat, apo një përballje me të kuqtë në 12 herët e fundit, por edhe sepse rrezikojnë mbijetesën.

* Ekstremi mes këtyre dy skuadrave ka të bëjë edhe me organikën që kanë në përbërje. Të kuqtë kanë luksin që të ulin në stol në një ndeshje si kjo, lojtarë si Sukaj apo Cetkoviç, mirëpo nga ana tjetër, bardheblutë, jo vetëm që kanë një numër të kufizuar lojtarësh në çdo rol, por edhe kur vjen puna për një të ri të talentuar si Cake, që mund të jetë zëvendësues ideal për Teqjan apo Turtullin, mungon për shkak të grumbullimit me Kombëtaren.

* Në organigramën e punonjësve, Partizani ka një strukturë ekstremisht të plotësuar për çdo post, pas presidentit: drejtor të Përgjithshëm, drejtor sportiv, drejtor akademie, sekretar të përgjithshëm, jurist, menaxher skuadre, menaxher marketingu, zëdhënës shtypi, shofer dhe punëtorë fushe. Në krahun tjetër, Tirana ka vetëm një drejtor sportiv, një drejtor akademie, një zëdhënës shtypi dhe punëtorë fushe.

* Tirana luan gjithashtu një derbi ekstrem prej vetë trajnerit. Josa është trajneri kampion në fuqi në kampionatin shqiptar, i cili këtë edicion po lufton për mbijetesën.

* Diferenca ekziston në faktin që sulmuesi kryesor i Tiranës ka shënuar vetëm 3 gola këtë sezon në kampionat, ndërkohë që sulmuesi kryesor i të kuqve Ekuban ka shënuar pesë herë më shumë, 15./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: