Nga Evarist Beqiri

Në fillim të shkurtit 1902, u mblodh në Paris, Kongresi 1-rë i Xhonturqve ose thënë ndryshe Kongresi i Opozitës Liberale Osmane. Fotografia që po sjellim është botuar në një nga revistat e përjavshme italiane më të lexuara të kohës “L’illustrazione italiana”, më 15 shkurt 1902.

Në qendër të fotografisë gjendet Princi i kurorës Sabahaddin-i (Sabahedin) dhe në të djathtë të tij gjendet Ismail Qemal Bej Vlora.

Njëkohësisht po publikojmë për herë të parë edhe artikullin për Kongresin Otoman, të publikuar nga gazeta franceze “Le Bloc”, i shkruar nga Xhorxh Klemanso (Georges Benjamin Clemenceau 1841-1929), më 22 shkurt 1902.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Aty pasqyrohet edhe zgjedhja e Ismail Qemal në Komitetin e Përhershëm. Kjo gazetë përgatitej dhe botohej asokohe nga Xhorxh Klemanso, burrështetas francez, mjek dhe gazetar, i cili më pas do të bëhej edhe kryeministër i Francës.

Ismail Qemali kishte spikatur në qarqet intelektuale turke edhe në ato evropiane si përkrahës i parimeve liberale. Ai përkrahte parimin e decentralizimit të Perandorisë Osmane, respektimin e të drejtave kombëtare dhe rivendosjen e kushtetutës osmane.

Ismail Qemal Vlora ishte një figurë kyçe si e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ashtu edhe e Revolucionit të Turqve të Rinj. Ismail Qemali, së bashku me eksponentë të tjerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare si Ibrahim Temo, Dervish Hima, Jashar Erebara etj., u përfshinë në lëvizjen e Turqve të Rinj (Xhonturqve), duke pasur parasysh synimin e kësaj lëvizjeje për rivendosjen e kushtetutës së vitit 1876.

Ata e shikonin atë si një mundësi për të realizuar të drejtat kombëtare shqiptare. Por, për shkak se Ismail Qemali i mbeti besnik vizionit dhe ideve të tij, ai u nda me Turqit e Rinj që në kongresin e zhvilluar në Paris më 1902, pavarësisht se ai ishte edhe një prej organizatorëve të tij.

Ismail Qemali pas arratisjes së tij të bujshme nga Kostandinopoja më 1 maj 1900, vazhdonte të banonte në Bruksel, ndërkohë dy djemtë e Damat Mahmudit, – princi Sabahedin dhe princi Lutfullah nga familja perandorake osmane – u kthyen nga Egjipti dhe u ngulën me banim në Paris, ku dhe po bënin plane për të thirrur një kongres për të diskutuar situatën në Turqi. Ata shkuan në Bruksel, ku e takuan dhe e ftuan edhe Ismail Qemalin që të merrte pjesë në këtë kongres të liberalëve osmanë, që ishin në azil nëpër Europë.

Ismail Qemali vendosi si kusht kryesor për pjesëmarrjen e tij në këtë kongres, që aty të përfaqësoheshin të gjitha etnitë e Perandorisë, në mënyrë që të formuloheshin dëshirat e të gjithë popujve. Kushtet e tij u pranuan dhe ai shkoi në Paris, ku u mbajt kongresi. Pas debatesh të gjata e të nxehta, shumica e Kongresit të Turqve të Rinj, e kryesuar nga princi Sabahedin dhe e përkrahur nga Ismail Qemali, dha pëlqimin t’u drejtohej një thirrje Fuqive për një regjim në përputhje me parimet e Kushtetutës së 1876. Ky organizim duhet të përfshinte të gjithë elementët etnikë në Turqi, duke u garantuar liri e drejtësi dhe mbrojtje të të drejtave kombëtare të tyre. Por një ndarje e thellë u shënua lidhur me çështjen e ndërhyrjes së huaj. Grupi, i kryesuar nga filozofi Ahmed Riza, i cili këmbëngulte për një pushtet qendror të fortë, e kundërshtonte me forcë çfarëdolloj ndërhyrje të jashtme. Kështu që midis Turqve të Rinj filluan të merrnin formë dy rryma kryesore, njëra që favorizonte nacionalizmin turk dhe tjetra otomanizmin liberal.

Turqit e rinj përkrahnin idenë e pushtetit të qendërzuar, ndërsa kombësitë joturke si shqiptarët dhe armenët ishin për decentralizimin e pushtetit. Ideja që përkrahte Ismail Qemali ishte dhënia e autonomisë për kombësitë joturke në perandori. Ismail Qemali mori pjesë në kongresin e xhonturqve si shqiptar dhe ai kurrë nuk u bë xhonturk. Parulla e Ismail Qemalit ishte: “As me turqit e vjetër as me turqit e rinj, por të punojmë për vatanin.” Ismail Qemali ka bashkëpunuar me xhonturqit vetëm kur kjo ishte në interes të çështjes shqiptare. Ai kishte rezervat e veta ndaj krerëve xhonturq, ashtu si edhe krerët xhonturq kishin rezervat e tyre ndaj Ismail Qemalit.

Megjithatë, xhonturqit kishin nevojë për burra shteti dhe njerëz të kalibrit të Ismail Qemal Vlorës. Ata i propozuan atij kryesimin e organit të tyre më prestigjioz të shtypit, gazetës “Osmanllë”. Ai nuk e pranoi propozimin, për arsye se, siç thoshin xhonturqit, “Ismail Qemali përpara çdo gjëje mendon për Shqipërinë.”. Sejfi Vllamasi, në librin “Ballafaqime politike”, shkruan se: “Ismail Qemali, i shquar si diplomat e patriot shqiptar, dhe me një prestigj të konsiderueshëm në Shqipëri e në Turqi dhe jashtë kufijve të perandorisë, peshonte rëndë. Për këtë shkak, xhonturqit e urrenin dhe ia kishin frikën.”.

Ismail Qemali e shikonte bashkëpunimin me Turqit e Rinj si pjesë e luftës së përbashkët të shqiptarëve dhe turqve për vendosjen e rendit kushtetues në Perandorinë Osmane. Por, nga ana tjetër, ai kërkonte të ruante pavarësinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare nga lëvizja xhonturke. Ai nuk dëshironte që shqiptarët të identifikoheshin si turq, osmanë apo myslimanë. Siç do të tregonin më pas faktet, politika dritëshkurtër dhe nacionaliste e xhonturqve, vuri në rrezik jo vetëm ekzistencën e popullit shqiptar, por edhe vetë ekzistencën e pavarur të kombit turk, i cili shpëtoi vetëm falë revolucionit të udhëhequr nga Mustafa Qemali.

Ismail Qemali e shikonte vijimin e bashkëpunimit midis turqve dhe shqiptarëve në luftën e përbashkët për ta futur Turqinë në rrugën e reformimit dhe njohjes së të drejtave kombëtare dhe autonomisë për popujt brenda Perandorisë, duke u dhënë atyre autonomi sa më të gjerë në përputhje me nenin 23 të Traktatit të Berlinit. Largpamësia politike e Ismail Qemalit shfaqet edhe në letrën e datës 18 tetor 1900, nga Brukseli, ku pasqyrohen mendimet e shprehura nga Ismail Qemali lidhur me të ardhmen e Perandorisë Osmane. Pavarësisht verbërisë proverbiale të xhonturqve, Ismail Qemali e kishte kuptuar që herët rrezikun që u kanosej shqiptarëve nga shpërbërja e Perandorisë Osmane. Nuk do të kalonte asnjë dekadë dhe parashikimet e Ismail Qemalit do të bëheshin realitet.

Sytë nga Perëndimi

Ismail Qemali ishte një shqiptar, i cili i përkiste fesë myslimane. Si mysliman dhe anëtar i Perandorisë, ai ishte për ruajtjen e Perandorisë Osmane. Por njëkohësisht si shqiptar, ai mbështeste një qeverisje të decentralizuar, e cila do të bënte të mundur autonominë e Shqipërisë. Në grupin e xhonturqve të Ahmed Riza-it, ai shikonte jo vetëm tendencën për një qeverisje të centralizuar, por edhe dëshirën për dominim të elementëve turq në Perandori.

Ismail Qemali përkrahte grupin e princit Sabahedin, pasi aty shikonte mundësinë për të fituar më shumë të drejta dhe liri për shqiptarët si grup etnik. Në këtë periudhë, aktiviteti i Ismail Qemalit fokusohej njëkohësisht te rrëzimi i sulltan Abdyl Hamidit II dhe në lëvizjen kombëtare shqiptare, e cila ishte duke fituar terren gradualisht. Prandaj, ai hartoi edhe një projekt për fillimin e një revolucioni kundër sulltanit nga provinca e Tripolitanisë. Ismail Qemali përkrahte decentralizimin e thellë të Perandorisë Osmane, dhe sigurimin e të drejtave të barabarta për të gjithë nënshtetasit pa dallim kombësie dhe feje.

Ismail Qemali ishte mbrujtur me konceptet liberale, prandaj e shikonte të ndërlidhur zhvillimin ekonomik të vendit me depërtimin e kapitalit të huaj. Në lëvizjen kombëtare shqiptare ai përkrahu fillimisht autonominë kulturore dhe më pas autonominë politike dhe administrative nën Perandorinë Osmane. Këtë stad Ismail Qemali e shikonte të nevojshëm për mbrojtjen dhe konsolidimin e shtetit të ri dhe si pararendës të formimit të shtetit të pavarur shqiptar.

Ismail Qemali mendonte se krijimi i një shteti shqiptar të fuqishëm do të pengonte shtrirjen e mëtejshme të sllavizmit në Ballkan dhe afrimin e Rusisë në Mesdhe. Kjo doktrinë qëndronte në themel të programit politik të Ismail Qemalit dhe po ky koncept qëndron edhe sot në themelet e aleancave strategjike të shtetit shqiptar. Ismail Qemali i drejtoi sytë e shqiptarëve nga Perëndimi. Ai nuk bënte pjesë në grupin e atyre që i kishin sytë nga Lindja dhe ndiheshin më tepër myslimanë dhe turq, sesa ndiheshin shqiptarë. Ai bënte pjesë në grupin e atyre shqiptarëve që e vendosnin kombin mbi fenë dhe mundësuan krijimin e kombit shqiptar mbi tri fe të ndryshme. Ismail Qemal Vlora u përpoq që ta përmirësonte Perandorinë Osmane, së cilës i shërbeu me zell dhe i kushtoi një pjesë të mirë të jetës së tij.

Në fund, Ismail Qemal Vlora veproi njësoj si baballarët e kombit dhe hartuesit e Deklaratës së Pavarësisë amerikane në vitin 1776, të cilët pavarësisht se i kishin shërbyer Perandorisë Britanike, në fund e luftuan shtypjen e padrejtë dhe e udhëhoqën kombin e tyre drejt lirisë dhe pavarësisë. Thomas Jefferson deklaronte se: “Nuk ka njeri në Perandorinë Britanike që ta dojë më shumë se unë bashkëjetesën me Britaninë e Madhe. Por, në emër të Zotit që më ka bërë, më mirë vdes sesa ta lejoj këtë bashkim me ato kushte që propozon Parlamenti Britanik; dhe në këtë rast mendoj se përfaqësoj ndjenjat e Amerikës.”. Një ide e ngjashme do të vërtitej edhe në mendjen e Ismail Qemalit, për raportet turko-shqiptare, 136-vite më pas kur ai shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë…

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb