Një çift pushuesish të huaj, kanë përfunduar në Komisariatin e Policisë Sarandë pasi një konflikt mes tyre për daljet në pub, degjeneroi në dhunë. Ngjarja është shënuar mesditën e së dielës, në lagjen 1 të Sarandës. Siç shkruan “Panorama”, 36­vjeçarja franceze Karin Denife Suzann, ka telefonuar policinë e Sarandës duke kallëzuar se po dhunohej nga bashkëjetuesi.

Gjatë marrjes në pyetje, ajo është shprehur se italiani Giusepe Bruno Alvini, 44­vjeç, kishte ushtruar dhune psikologjike e fizike ndaj saj për motive xhelozie. Sipas policisë, 44­vjeçari i kishte kërkuar llogari bashkëjetueses se pse ajo kishte shkuar një natë më parë në disko në shoqërinë e personave të tjerë.

Përgjigja e 36­vjeçares Suzann se “donte të kërcente për qejf” e ka revoltuar keqazi italianin, i cili ka nisur t’i bërtasë e madje dhe e ka goditur me shpullë.

Burimet policore bëjnë të ditur se më herët, italiani i kishte bllokuar edhe llogarinë bankare bashkëjetueses, me qëllim që ajo mos të kishte mundësi të argëtohej në lokalet e qytetit. Madje, gjatë grindjes, italiani e ka kërcënuar 36­vjeçaren se nuk do i jepte asnjë para, duke i thënë se do të ktheheshin menjëherë në Itali e do t’i ndërprisnin pushimet në mes.

Pas plotësimit të dokumentacionit me dëshmitë e dy personave, rreth orëve të mbrëmjes policia plotësoi kërkesëpadinë për lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes për shtetasen franceze Karin Denife Suzann, banuese në Napoli, Itali.

Sipas policisë, çifti kishte pak ditë që kishte ardhur nga Napoli për pushime në Sarandë, ndërkohë qe ishin akomoduar në një nga hotelet e qytetit në rrugën “Turizëm – Kanali i Cukes”.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb