Një protestë e nisur pasditen e sotme në sheshin “Syntagma” të Athinës ka degjeneruar në përplasje të turmës me policinë. Protesta nisi pas thirrjeve pro grevistit të urisë Yannis Michaelidis, i njohur si “Shigjeta”, vetëm pak orë pasi kërkesa e tij për lirim nga burgu u refuzua.
Qendra e kryeqytetit helen u shndërrua në një arenë përplasjes dhe incidentesh të rënda, ku rreth 300 persona janë përplasur me forcat e MAT-it.
Me shkopinj dhe gurë protestuesit tentuan të çanin kordonin e policisë, por në krahun tjetër efektivët u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e turmës, ndërsa u shkatërruan disa dyqane dhe restorante.
Gjithçka nisi kur një grup personash nisën të gjuanin sende të paligjshme drejt policisë gjatë marshimit në rrugën Panepistimi, ndërsa efektivët hodhën granata trullosëse.
Sipas denoncimeve të bëra për Newsbomb.gr, disa protestues kanë hyrë me shkop në një dyqan të njohur dhe kanë thyer xhamat, ndërsa pak kohë më pas janë arrestuar 13 prej tyre.
Më herët gjatë ditës së sotme u bë e ditur se kërkesa për lirim e Yiannis Michailidis u refuzua , fakt që zemëroi avokatët e tij, të cilët kanë paditur menjëherë Këshillin e Apelit të Lamisë, pasi e konsiderojnë vendimin të padrejtë, për shkak të shëndetit të klientit të tyre që ndodhet në grevë urie.
Pas 67 ditësh grevë urie, shëndeti i 34-vjeçarit të burgosur tashmë është në rrezik. Ai ka humbur mbi 25% të peshës trupore, ka dëmtim të organeve të tij vitale dhe frika është se mund të kalojë në koma hipoglikemike në çdo moment.
Mjekja e tij personale dhe drejtoresha e EKAV-ESY, Pantelia Vergopoulou, paralajmëroi mëngjesin e së enjtes se gjendja e shëndetit të grevistit së urisë ishte përkeqësuar me shpejtësi në 24 orët e fundit.