Gjykata e Apelit shtyu për në datën 26 shtator vendimin për deputetin demokrat, Ervin Salianji. Pas procesit në Apel, Salianji tha se gjyqi po stërzgjatet nga Geron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ai tha se ndaj tij nuk ka asnjë provë që ta inkriminojë në shkelje ligjore për denoncimin ndaj Geron Xhafës, ku e implikonte atë në trafik droge.
Salianji: Sot u përballa në gjykatë sepse një i dënuar për trafik ndërkombëtar droge jetonte në Shqipëri për mbrojtjen që i jepte ministri vëllai i tij. Një i dënuar për trafik droge po stërzgjat gjyqin.
Nga audio në Gjykatë u vërtetua nuk ka asnjë provë që mund të më inkriminojë. Shiheni pak diskutimin, nëse unë flas me emra konkrete, unë kisha argumente, argumenti i palës tjetër, që është avokati i ish-ministrave të korruptuar, nxjerr një term të pa dëgjuar, Babale, sepse e kanë babalizuar Shqipërinë. Kemi fituar mbi 600 gjyqe ndaj personazheve të PS, për denoncimet që kemi bërë si Parti Demokratike.
Ky proces është mbajtur zvarrë sepse nuk kanë asgjë në dorë. Sot duhet të kishte vendim.
Pas seancës që zgjati rreth 4 orë këtë të premte, Gjykata e Apelit shtyu për në datën 26 shtator vendimin për deputetin demokrat. Gjykata e Tiranës, shkalla e parë, ka dënuar Salianjin me 1 vit burg për kallëzim të rremë. Prokuroria kërkon lënien në fuqi të vendimit, ndërsa avokatët pafajësi për Ervin Salianjin.
(BalkanWeb)