Në Shënjestër/ Një industri miliona dollarëshe, e kapur fort nga krimi

Një fenomen, i përhapur për kohën, në të gjitha rrugicat e Shqipërisë. Ku në çdo cep lagje, do të kishte një pikë bastesh. ervLuftë për sundimin e lojrave të fatit që do të shënonte viktimën e parë më 23 tetor 2013.

Ku në pasdrekën e kësaj dite, Elvis Doçi, sipërmarrës i njohur lojrash fati, i njohur edhe për miqësinë me ministrin e Brendshëm të kohës, Saimir Tahiri, do të qëllohej bashkë me kushëririn e tij, Ali Doçi,  ndërsa qëndronin në makinë, në pritje të semaforit, pranë stadiumit ‘Selman Stërmasi’ në kryeqytet.

Elvis Doçi, humbi jetën vetëm disa orë më pas në spital si pasojë e plumbave të marrë, ndërsa për fat të mirë, kushëriri i tij mbijetoi.

I dyshuari kryesor për këtë ngjarje u tha se ishte Ervis Martinaj, por asnjëherë ndaj tij nuk u ngrit një akuzë zyrtare.

Vrasja e mikut të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, që vinte vetëm pak ditë, pasi qeveria socialiste e sapoardhur në pushtet kishte nisur një operacion të gjerë të quajtur ‘Fundi i Marrëzisë’ për konfiskimin e të gjitha makinerive dhe pikave të bastit të palicensuara në të gjithë Shqipërinë.

Dhe që duket se ishte një mesazh i qartë dhe i fortë i përplasjes së krimit të lidhur me bastet dhe pushtetit në fuqi.

Por vrasja e Elvis Doçit do të ishte vetëm fillimi i CV-së së pasur së Ervis Martinaj, si eksponent i dalluar i krimit ndonëse ai asnjëherë nuk u akuzua zyrtarisht.

Në kulmin e aksionit “Fundi i Marrëzisë”, Ervis Martinajt, u denoncua për për kërcënimin e shefin e repartit “Shqiponja” në Tiranë.

Përplasje kjo për bllokimin e rreth 400 makinetave të lojërave të fatit në një magazinë që zotërohej prej tij.

“Do të ishin këto dy momente, ku emri i tij do të nënvizohej gjithmonë e më shpesh në ngjarje të ndryshme kriminale… Një ndër këto ngjarje do të ishte edhe vrasja e Enton Nikës, më 11 nëntor 2015. Ngjarje e ndodhur në parkingun e një restoranti në zonën e Linzës në Tiranë. Ku i plagosur mbeti edhe pronari i restorantit, Ismet Gaxheri. Ngjarje, ku edhe këtë herë, protagonist kryesor, do të rezultonte të ishte, Ervis Martinaj. Personi që shfaqet edhe në këtë foto, gjatë momentit të përplasjes që përfundoi në viktima”.

Dosja e Prokurorisë

Më datë 11 Nëntor 2015, rreth orës 14:10 në një lokal në Linzë, janë konfliktuar në ambjentet e parkingut të makinave te pandehurit Ervis Martinaj, Bujar Hasani, Mirsad Kuçana, dhe Emiljano Tasho me shtetasit Enton Nikaj dhe Ismet Gaxherri, ku si pasojë e këtij konflikti të armatosur është vrarë shtetasi Enton Nikaj dhe është plagosur me mjete të forta në kokë pronari i lokalit Ismet Gaxheri.

Edhe pse ishte i dyshuari kryesor për këtë ngjarje, Ervis Martinaj, vazhdoi të bënte jetën e tij i lirë.

Emri i tij do të dilte sërish në skenë, në një prej proceseve më të bujshme të zhvilluara në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Atë kundër Emiljano Shullazit dhe grupit të tij kriminal, të cilët po gjykoheshin për gjobëvënie.

Proces, ku në mars 2017, Ylvi Beqja, dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë, deklaroi se Ervis Martinaj i kishte ofruar 7 milionë euro për t’u tërhequr nga dëshmia kundër Emiljano Shullazit.

Beqja tha gjatë këtij procesi se ai refuzoi të tërhiqej nga dëshmia, Ndaj për këtë arsye, Martinaj, e kishte kërcënuar me jetë.

Prokuroria deklaroi atëkohë se kishte nisur hetime, Por e vërteta është se Martinaj, nuk u mor kurrë i pandehur për këtë çështje. Madje, ai do të vazhdonte të ishte edhe më i dhunshëm, tanimë në skenat e krimit që prodhonte.

Ndërkohë që për Martinaj kishte edhe hetime të mëparshme, të cilat mesa duke ai kishte mundur ti mbyllte falë lidhjeve të tij të fuqishme në drejtësi.

Por siç e theksuam edhe më herët, do të ishte pikërisht ngjarja e rëndë në ish-Bllok, që u shënua në një nga orët dhe zonat më të frekuentura, dhe që dukej të ishte një plumb në zemër për vetë kryeqytetin, që solli edhe vendimin e prerë të qeverisë Rama për të mbyllur më 1 janar 2019, të gjitha pikat e basteve në Shqipëri.

Baste të shpërndara si kërpudha kudo nëpër çdo cep të lagjeve të qyteteve.

Mbyllja e të cilave dukej sikur do të shënonte edhe dobësimin e krimit vendas, të lidhur me lojrat e fatit.

Por që në fakt, nuk rezultoi kështu, pasi paratë që viheshin publikisht në pika llotoje, tanimë kaluan ilegalisht online”.

 

Ku krimi tashmë mund të gjeneronte para të shumta dhe të pafundme në botën e nëndheshme. Një dukuri e cila mesaduket e bëri edhe më të dhunshme luftën për posedimin e basteve. Një histori sa e re aq edhe e vjetër, që duket se ravijëzoi përplasje të reja me grupe të padukshme kriminale.

Por që ndërkohë kishin filluar të fuqizoheshin dhe të sulmonin njëra-tjetrën. Por edhe viktima të shumta në radhët e miqve të Martinaj.

Që dukej se ishte në shënjestër të armiqve të tij. Një nga këto përplasje që ngritën krye ndaj grupit të Ervis Martinaj, ishte edhe ajo me klanin e vëllezërve Leonard dhe Erlis Duka. Një përplasje e vjetër që kulmoi me eleminimin e ish-policit Santiago Malko.

Një prej miqve më të afërt të Martinaj. Vrasje e cila u krye nga Klani Duka, mbrëmjen e 27 gushtit 2019, në rrugën ‘Xhanfize Keko’, në Tiranë.

Santiago Malko, që kishte qenë i pranishëm edhe gjatë përplasjes me armë që Ervis Martinaj, kishte pasur disa muaj më parë, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Vrasje që vinte pasi Klani Duka kishte dështuar në ekzekutimin e Martinaj.

Përplasja mes Martinajt dhe Dukëve, që duket se kishte nisur për lojërat e fatit.

Por ku thuhet se Martinaj, mori peng dhe dhunoi babain e vëllezërve Duka.

Gabim të cilin Klani Duka nuk ia fali kurrë Martinajt.

Klan që thuhet se tashmë ishte betuar deri në elemiminin e ushtarit të fundit të Martinaj dhe vetë kundërshtarit të tyre më të madh.

Ku një hetim i prokurorisë së Tiranës, zbuloi se Vëllezërit Duka ishin investuar fuqishëm me të gjithë mjetet për të ditur lëvizjet e Martinaj me objektivin për të kryer eleminimin e tij.

Hetim që ndër të tjera, zbuloi se Klani Duka, kishte rekrutuar punonjësen e një agjensie turistike, me qëllim që kjo e fundit kundrejt pagesës tju vinte ne dispozicion lëvizjet dhe vendet ku do të akomodohej Ervis Martinaj.

Dosja e Prokurorisë

N.SH.ka punuar në një agjenci udhëtimesh në rrugën ‘Myslym Shyri’ ku shiste bileta udhëtimesh, paketa turistike, akomodime në hotele jashtë vendit etj.

Nga deklarimet e N.Sh, ka rezultuar që përmes të pandehuri Daut Elmazi, ajo dhe i fejuari i saj Dejvison Serjani, kanë krijuar kontakte me shtetasit Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni. njohur me pseudonimin ‘Dogja’.

Këta dy shtetas kanë patur në plan eleminimin fizik të shtetasit Ervis Martinaj dhe për organizimin e vrasjes u është dashur informacion prej të pandehurve lidhur me lëvizjet e objektivit Martinaj jashtë vendit.

Sipas dosjes së prokurorisë të siguruar ‘Në shënjestër’, e pandehura, pranoi se i ka servirur vëllezërve Duka, informacion mbi fluturimet e Martinaj.

Madje, tregoi edhe shumat që kishte marrë për të dhënë këtë informacion, nga kundërshtarët e Martinaj.

Dosja e Prokurorisë

Në deklarimet e saj, e pandehura N.Sh ka pranuar që në këmbim të informacioneve do të përfitonin shpërblim në para.

Rezulton se në dy raste është dhënë informacion lidhur me planet e udhëtimit të objektivit Martinaj.

Një herë informacioni i është përejellë shtetasit Fatmir Hyseni për një fluturim të objektivit Martinaj me itinerar Prishtinë-Stamboll-

Dubai, ndërsa herën tjetër informacioni i është përejellë Leonard Dukës për një fluturim të objektivit Martinaj, me itimerar Athinë-Stamboll-Valencia).

Sipas deklarimeve të N.SH, Leonard Duka i ka paguar asaj dhe Dejvison Serjanit shumën prej 30 000 euro.

Por gjuetia e Klanit Duka, ndaj Ervis Martinaj, duket se ka filluar shumë herët.

Ku ashtu edhe si rivali i tyre që kishte lidhje të fuqishme në Policinë e Shtetit, edhe vëllezërit Duka, duket se kishin rekrutuar oficerë policie për të ndjekur gjurmët e gjahut të tyre.

Ky oficer policie që do të siguronte informacione për lëvizjet e Martinaj, do të ishte Ardjan Ahmeti.

Që kishte punuar gjatë viteve 2015-2019, si specialist IT, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës si dhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Dosja e Prokurorisë

Nga deklarimet e Ardjan Ahmetit, ka rezultuar që ka qenë Daut Elmazi, ai që e ka lidhur me Fatmir Hysenin, i njohur si Doqja.

Dauti i ka kërkuar Ardjanit që të prezantohet tek Hyseni si punonjës policie dhe ti thotë që ai po siguron informacione lidhur me lèvizjet jashtë territorit të Shqipërisë të Ervis Martinaj.

Dauti i ka premtuar shpërblim në para për këtë shërbim.

Gjatë kësaj kohe Ardjan Ahmeti është takuar me Fatmir Hysenin dhe ka komunikuar sipas porosisë së Dautit.

I gjendur përballë këtyre dëshmive, grupi hetues vendosi të mbajë në përgjim, dy të fejuarit Dejvison Serjani dhe shtetasen N.Sh.

Për të parë nëse deklarimet e tyre ishin të vërteta dhe përputheshin me lëvizjet e Ervis Martinaj, shënjestrës tashmë të Klanit Duka.

Ku zbulimi do të ishte surprizues edhe për vetë grupin e hetimit.

Dosja e prokurorisë

Transkriptet e përgjimeve

Nga transkriptet e përgjimeve telefonike rezultojnë edhe konfimimet e deklarimeve të shtetasve Dejvison Serjani, N.Sh, dhe Ardjan Ahmeti.

Në kuadër të këtij procedimi, është kërkuar ndihmë nëpërmjet letërporosive nga ana e autoriteteve turke për të konfirmuar fluturimet

dhe akomodimin për shtetasit Ervis Martinaj, Leonard Duka, Erlis Duka, Fatmir Hyseni, Igli Memaj, Gentjan Dautaj (Zoto).

Nga kthim-përgjigjet e administruara në fashikull rezulton që këta shtetas kanë udhëtuar në të njejtat data respektive kur supozohet që të realizohej atentati që po planifikohej.

Edhe akomodimi i tyre rezulton në të njëjtin vend.

Hetuesit dolën në përfundimin se Dukët nuk mundën ta ekzekutonin Martinajt, ndaj për këtë vendosën të hakmarreshin duke vrarë mikun e tij, Santiago Malko.

Mbi këtë të fundit, SPAK thotë se qëlloi vlonjati Fatmir Hyseni, i njohur si DOQJA.

Por vrasja e Malkos, do të ishte vetëm fillimi i fundit të pandalshëm të eleminimit të grupit të Ervis Martinaj.

Një tjetër vrasje brenda radhëve të grupit të Martinaj, që do të shënjonte sinjalin se ditët e arta të një perandorie kishin nisur perëndimin e tyre.

Më 30 maj 2020, një tjetër atentat, këtë herë brenda një hoteli, në aksin Mamurras-Lezhë, do ti merrte jetën biznesmenit Bujar Lika dhe mikut të tij, Paulin Gjergji.

Lika, që ishte mik i ngushtë me Ervis Martinaj. Atentat që shpejt do të pasohej nga i radhës. Dhe që do të trondiste edhe njëherë fuqishëm grupin e Martinaj.

Viktimat këtë herë brenda këtij grupi, do të ishin Erigers Mihasi dhe miku i tij Armand Dumani.

Të cilët u ekzekutuan barbarisht më 13 nëntor 2021, në Tiranë, në zonën e Unazës së Re, brenda makinës së tyre.

Eleminim i ushtarëve të Martinaj që do të kryhej publikisht, siç ka shfaqur edhe emisioni ‘Në shënjestër’ në sytë e dhjetra pasagjerëve që sapo zbrisnin nga urbani i linjës së Tiranës së Re.

Por teksa viti kalendarik dukej se do të mbyllej pa humbje të tjera në radhët e grupit të Martinaj, një tjetër viktimë brenda këtij grupi do të përmbyllte ciklin vjetor të hakmarrjes së egër që tashmë ishte e dukshme.

Viktima e radhës do të ishte Can Karriqi.

Edhe ky një ushtar i Ervis Martinaj. I cili u ekzekutua më 23 dhjetor 2021, në Kamëz, brenda një makine. Dyshimet për këto krime ranë mbi Klanin Duka. Por duket se Martinaj, nuk kishte llogari të hapura vetëm me këtë Klan. Por edhe me të tjerë grupe apo familje, me të cilat tashmë i ndante gjaku.

Një nga këto përplasje të shpallura, ishte edhe ajo me familjen Reçi në Kurbin.

Familje, e cila më 1 nëntor 2021, humbi në atentat në qytetin e Laçit, ish-policin, biznesmenin, Xhelal Reçi. Ngjarje, ku thuhet se një nga autorët që qëlloi ishte Brilant Martinaj, kushëriri tashmë i ndjerë i Ervis Martinaj. Ekzekutuar këtë verë, bashkë me dy miqtë e tij, tek mbikalimi i Fushë Krujës, mesditën e 17 korrikut 2022.

Por vrasja e kushëririt të tij Brilant Martinaj dhe miqve të tij, duket se nuk e ndali dorën e kundërshtarëve ndaj grupit të Martinaj.

Vrasje e trefishtë e cila shpejt do të pasohej edhe nga një tjetër atentat i rëndë, brenda radhëve të grupit të Martinaj.

Ku këtë herë shënjestër do të ishin dy miqtë e tij, Ylli Ibrahimi dhe Klisman Prençi. Të cilët u qëlluan me breshëri të shumta kallashnikovi, brenda makinës me të cilën udhëtonin.

Ngjarje kjo e ndodhur më 22 korrik 2022 në qendër të Milotit. Ku viktimë mbeti i riu Klisman Prençi, ndërsa i plagosur rëndë, Ylli Ibrahimi.

Atentati i fundit në radhë, para se Martinaj të rezultonte edhe vetë i zhdukur. Ndërkohë që bashkë me Martinaj, që nga 17 maji rezulton i zhdukur edhe një nga ushtarët e tij.

Ulvi Skana, shok me Can Karriqin mikun e vrarë të Ervis Martinaj. Fije të shumta të ngatërruara, që e bëjnë edhe më të komplikuar zhdukjen e atij që deri dje njihej si mbreti i lojrave të fatit.

Bosit të humbur të kumarit, gjuetia në kërkim të të cilit, duket se do të vazhdojë gjatë. Ndërsa fati i tij mbetet mister, çuditërisht pas shumë vitesh ndalimi, qeveria hodhi edhe njëherë zarët në shesh.

Duke u shprehur qartë se lojërat e fatit do të rihapen. Ndoshta një përkim rastësor, me zhdukjen e bosit të lojrave të fatit, por që pashmangshmërisht nuk kishte se si këto dy ngjarje të mos i lidhte një sfond politik. Dhe një luftë që tashmë është bërë edhe më e ashpër politike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: