Nga Dashnor Kaloçi
Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota.
Në dosjen në fjalë, gjenden faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laburatorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.
Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
Por, edhe pse kemi të bëjmë vetëm me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar ai sistem i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga personat që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga hetuesit e kësaj çështje, është bërë e ditur se; ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
Vijon nga numri i kaluar
DOKUMENTI ARKIVOR, ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË FATMIR YMER GJELI, KUZHINIERIT TË FAMILJES SË MEHMET SHEHUT, NGA ANA E HETUESIT TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, BASHKIM CAKA
P R O Ç E S – V E R B A L
(I pyetjes së dëshmitarit)
Sot më datën 8.6.1983, në Tiranë.
Ne, hetuesit e M.P.B., Sokol Koleka dhe Bashkim Caka, marrim në pyetje si dëshmitar:
Emri, emri i babës, mbiemri: Fatmir Ymer Gjeli.
Datëlindja, (dita muaji, viti), 1943.
Arsimi: 7 klasë (dy vjet, shkollën e Kuzhinierëve)
Vendbanimi: Lagjja Nr.2, Rruga “Punëtorët e Rilindjes”, Pallati 1. Ap. 6.
Detyra: Kuzhinierin në Hotel-Restorant “Arbëria”.
Anëtarësia në Parti: Anëtar partie.
A është i dënuar: Nuk është dënuar.
Numri i letërnjoftimit….!
Marrëdhëniet me të pandehurin: Nuk ka lidhje familjare
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësinë penale, në bazë të nenit 202 të K. P., për dëshmi të rreme.
FIRMA E DËSHMITARIT
Fatmir Gjeli
Në lidhje me çështjen, mund të them si më poshtë: Unë kam punuar 12 vjet si kuzhinier në shtëpinë e armikut Mehmet Shehu. Si Mehmet Shehu, ashtu dhe e shoqja e tij, Fiqret Shehu, bashkë me fëmijët e tyre, silleshin shumë keq me ne, personelin e shërbimit, na shanin, na fyenin, bërtisnin etj., duke u sjell si mbretër me ne. Në shtëpinë e Mehmet Shehut, vinin zakonisht; Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase, Kadri Hazbiu, dhe vitet e fundit, edhe Nazar Berberi, Mendu Backa, Veli Llakaj, etj.
Edhe Mihallaq Ziçishti ka ardhur, sidomos në Durrës, ku pinte kafe dhe bënte muhabet me Mehmet Shehun. Më kujtohet se kur Mihallaq Ziçishti ka ardhur nga Spanja, Mehmet Shehu e mbajti për drekë atë, në shtëpinë e tij në Tiranë, dhe më kujtohet mirë, për Mihallaq Ziçishtin, Mehmet Shehu e ka mbajtur për drekë, edhe kur është zhvilluar një plenum i Komitetit Qendror të PPSH-së, këto vitet e fundit.
Për personat që Mehmet dhe Fiqret Shehu ftonin për dreka e për darka, si ministria e zv/ministra, miq të ndryshëm, e deri te profesori i Skënder Shehut, që erdhi nga Suedia bashkë me vajzat e tij, Fiqretja bisedonte me Qamil Peshqeshin dhe Fejzo Bijon, dhe kështu që harxhet që bënin me këtë rast, si për miqtë dhe për veten e tyre, i paguante Drejtoria e Pritjes. Me këtë rast, hanin edhe personeli i shërbimit, shoferët, etj.
Në mjaft raste kur vinte fundi i muajit dhe do paguheshin lekët me harxhet ushqimore të bëra gjatë muajit, Fiqretja shikonte faturat dhe bërtiste se ishin harxhuar shumë para, nuk i paguante të gjitha lekët apo jo, se di! Ata hanin si derrat dhe çdo gjë të mirë, duke bërë edhe naze e kthyer dhjetëra herë, ushqimet që nuk i pëlqenin, në dyqan. Fiqret Shehu, gjithmonë kur s’i pëlqente ndonjë gjë, na thoshte; do t’ju fus në burg, etj.
Fiqretja, ishte aq shpërthyese, sa për mua ndeshej në Ministrinë e Tregtisë, që mos të më jepej kategoria, sipas rregullave përkatëse. Më kujtohet një rast këto vitet e fundit, që më ka bërë përshtypje. Porsa Mehmet Shehu ishte kthyer nga gjuetia dhe kishte ndarë derrat që kishte vrarë, ku i çoi Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Veli Llakajt, dhe njërit që i kishte bërë, siç dëgjova aty, një pushkë gjuetie Mehmet Shehut.
Mehemti erdhi dhe më pyeti mua vetë; “u shpërndanë”, unë i thashë; “po, por ka mbetur pa i çuar komandantit”! Ai më pa në sy dhe më tha: “Kujt komandanti”?! Unë i habitur ju përgjigja: “Komandantit, udhëheqësit të partisë”, siç e thërrisnim të gjithë aty. Mehmet Shehu, duke nënqeshur më tha: “Aha-aha” dhe u largua.
Mish derri të egër, Mehmet Shehu i çonte shpesh, edhe Tanush Shytit, Duro Shehut, etj. Tek ne, në personelin e kuzhinës, vinte shpesh Jonuz Luto dhe shoferi i Fiqretit, në fillim Thanas Kosta, e më vonë Bedriu, por vinte dhe Ali Çeno e Astrit Hitaj. Nganjëherë me ta pasdite, ose darkave, shkonin dhe luanin në Shtëpinë e Partisë nr. 1, kur s’kishte njeri nga udhëheqja.
Javën e fundit, para se të vriste veten Mehmet Shehu, unë kam qenë me lejen e zakonshme dhe aty ka shërbyer xhaxhai im, Qemal Gjeli, që edhe ai është kuzhinier në Drejtorinë e Pritjes. Për rastet që vinin miq të ndryshëm në shtëpinë e Mehmet Shehut, unë nuk i shikoja dhe nuk e merrja vesh se kush hynte, sepse rrija në kuzhinë, por dëgjoja më vonë se erdhi filani, etj.
Kur vinin miq e pinin kafe, Mehmeti ose Fiqret Shehu, i binin ziles, ose kohët e fundit, na lajmëronin në interfoni, vetëm në të rrallë Fiqretja zbriste poshtë në kuzhinë, për të na lajmëruar që të bënim kafe, raki, etj., pa na lajmëruar se kush kishte ardhur.
Për sa thashë më lart, mu lexuan thëniet e mija janë të vërteta dhe i firmos. Memorie.al
Dëshmitari Hetuesit
Fatmir Gjeli Bashkim Caka Sokol Koleka