Kosova ka marrë kryesimin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Një javë më parë, kryesimin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore e kishte Bosnje e Hercegovina.


Në samitin përfundimtar të mbajtur në Jahorinë, Kosova nuk mori pjesë, pasi që presidenti Hashim Thaçi kishte refuzuar të merrte pjesë për shkak të ftesës të cilën ai e kishte vlerësuar si “jokorrekte dhe denigruese” nga ana e kryesuesit të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik.


Ministri i Jashtëm në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli gjatë prezantimit të synimeve të Kosovës gjatë kryesimit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore – SEECP, theksoi se politikat e BE-së për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal do të prezantohen në mënyrën më të mirë të mundshme gjatë kryesimit të Kosovës.


Fokusi i Kosovës, theksoi Pacolli, gjatë kryesimit njëvjeçar do të jetë për një bashkëpunim më të mirë rajonal në fushën e ekonomisë, energjisë, infrastrukturës në përgjithësi dhe çështjet që kanë të bëjnë me rininë.

“Ne jemi të vetëdijshëm që do të ketë vëmendje shtesë mbi Kosovën gjatë kryesimit tonë të SEECP. Unë jam i vetëdijshëm për sfidat që dalin para nesh për shkak të marrëdhënieve me disa nga shtete anëtare të SEECP, mirëpo ideja dhe synimi ynë është që këtë vëmendje ta trajtojmë në mënyrë pozitive. Ne jemi të vendosur të prodhojmë lajme pozitive jo vetëm për Kosovën, por për tërë rajonin”, tha Pacolli.

Duke folur për samitin e javës së kaluar në Jahorinë, ministri Pacolli theksoi se Kosova e cila është anëtare e këtij mekanizimi që nga viti 2014, nuk është trajtuar barabartë si vendet tjera anëtare.

“Aktiviteti përfundimtar i SEECP i organizuar nga Bosnja e Hercegovina gjatë kryesimit të saj ku pozita e Kosovës në kuadër të SEECP nuk është respektuar dhe Kosova nuk është trajtuar si të gjitha shtete tjera anëtare, kjo do ishte shmangur me një vullnet të mirë politik dhe një koordinim mes shteteve, megjithatë Kosova është e përkushtuar të jetë një partner kredibil dhe konstruktiv në rajon dhe në harmoni të plotë me misionin kryesor të SEECP”, tha Pacolli.

Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në fund të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi taksë doganore 100 për qind ndaj produkteve të importuara nga Serbia si dhe nga Bosnjë e Hercegovina.

Eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë se bashkëpunimin rajonal po e pengojnë Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
“Kryesimi i SEECP nga ana e Kosovës është një atribut shtetëror që i jepet Kosovës në bazë të marrëveshjeve që i ka me BE-në dhe vendet e rajonit, por fatkeqësisht Kosova ka fqinjë armiqësor si Serbia dhe Bosnja të cilat jo vetëm që nuk respektojnë fqinjësinë e mirë si parim fundamental të BE-së, por ato në të gjitha format po pengojën por edhe po e luftojnë shtetin e Kosovës dhe bashkëpunimin rajonal”, thekson Gashi

Sa i përket përfitimeve që Kosova ka pasur në iniciativat rajonale, Gashi thotë se përfitimet pothuajse kanë qenë minimale për vendin, pasi që ka një bashkëpunim joadekuat dhe sabotim nga ana e vendeve fqinje.

Po ashtu, sipas Gashit edhe Bashkimi Evropian nuk ka qenë shumë këmbëngulës që Kosova të përfshihet më shumë në këto projekte rajonale.
“Nëse krahasojmë përftimet që kanë pasur vendet fqinje me Kosovën përfitimet që kemi pasur ne (Kosova) janë simbolike. Unë mendoj që Procesi i bashkëpunimit të Evropës Juglindore duhet të jetë si një pikë fillestare e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe më pas hapi i dytë do të duhej të ishte integrimi në BE”, thotë Gashi.

Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore është një iniciativë për bashkëpunim rajonal, që është lansuar më 1996.
Ajo synon të forcojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis shteteve të Evropës Juglindore dhe ta transformojë këtë rajon në një fushë të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit, me synimin kryesor të integrimit të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Vendet anëtare të SEECP janë Kosova, Shqipëria, Turqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Moldavia, Rumania, Bosnje e Hercegovina,dhe Serbia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: