Nga: XHEVAT MUSTAFA*
Na takon të ndjejmë e shprehim mirënjohje me bindje e zemër se miqtë ndërkombëtarë, në radhë të parë, SHBA dhe vendet perëndimore të BE-së na kanë ndihmuar shumë gjatë këtyre rreth 25 viteve të paskomunizmit apo të demokracisë. Mbështetja dhe ndihma e tyre ka qenë e gjithanshme dhe konkrete: politike, ekonomiko-financiare, ushtarake, infrastrukturore, komunale, arsimore e shëndetësore, në formën e asistencës, të specializimeve dhe të përvojës… Mjafton të kujtojmë se ndihmat nga Gjermania dhe Italia janë në rreth 1 miliard dollarë nga secili prej këtyre vendeve. Frytet e kësaj mbështetjeje të shumanshme janë të prekshme, të dukshme e të pamohueshme. Të paktën nga pamja dhe nga disa tregues dhe shifra të zhvillimit absolut Shqipëria e sotme nuk mund të krahasohet me atë të fundit të vitit 1990, ka ecur përpara, edhe pse jo me hapat e dëshiruara dhe të mundshme. Ajo nuk u bë si “gjithë Evropa” apo “si Zvicra”, siç e dëshironin shumica e shqiptarëve, në dhjetor 1990. Në të kundërtën është bërë siç e donin dhe e duan një grup politikanësh, qeveritarësh dhe shtetarësh të lartë: parajsë për klasën politike dhe qeverisëse, me rotacione flamurësh dhe prapanicash, për trafiqet, korrupsionin, kriminalitetin shumëformësh… Kështu, pa apo me dashje u kanë dhënë kapital propagandistik armiqve historikë të Shqipërisë për të përhapur përrallën e tyre se “shqiptarët nuk dinë e nuk duan të bëjnë shtet”.
Shumëkush prej qytetarëve shqiptarë dhe miqve ndërkombëtarë ka informacion të bollshëm se një pjesë e mirë e ndihmave të tyre nuk ka shkuar në buxhetin dhe magazinat e shtetit, për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, por ka rënë në xhepat e pushtetarëve, familjarëve, ortakëve, bashkëpunëtorëve dhe klientëve të tyre, duke u shndërruar prej tyre në pallate shumëkatëshe, komplekse turistike e hoteliere, kompani biznesesh, saraje personale, në avionë dhe anije për drogën… Edhe prej këtyre ndihmave, qindra politikanë dhe pushtetarë si dhe njerëz të afërm, me lidhje gjaku apo pisllëqesh me ta, kanë arritur të bëhen brenda pak vitesh me prona, pasuri dhe depozita bankare, konkurruese me ato të jo pak multimilionerëve apo sheikëve nga vende të tjera të botës. Në të njëjtën kohë dhe republikë, paradoksalisht dhe padrejtësisht, shumica e qytetarëve të thjeshtë e të ndershëm kanë mbetur dhe mbijetojnë me paga, pensione dhe ndihmë sociale, në nivelin e 1-5 ditëve punë për qytetarët zviceranë, amerikanë, austriakë, britanikë, gjermanë, suedezë, danezë, finlandezë, holandezë, irlandezë…! Paradoksi dhe padrejtësia bëhen mal kur përditë ka pasur dhe ka skena dhe fakte kur “piranjat” me poste të larta shtetërore, qeveritare, partiake, administrative, juridike i gllabërojnë me pashpirtësi, pangopshmëri e pandëshkueshmëri resurset dhe pasuritë e shumta të vendit si dhe ndihmat e mëdha nga bota mike, duke e varfëruar vendin deri në këtë ditë apo limit, kur shumica e qytetarëve të ndjehen të varfër e të pasigurt për të nesërmen, thuajse njësoj si rreth 25 vjet më parë, në dhjetor 1990.
Në mes të një realiteti apo xhungle të tillë është e pritshme dhe e kuptueshme që plot qytetarë shqiptarë të ndjehen aq të varfëruar, të zhgënjyer, të depresuar e të pashpresë sa t’u duket se ishin më mirë në kohën e ferrit enverian të 25 viteve më parë, se ky vend nuk di dhe nuk do t’i mbajë fëmijët e vet dhe prandaj u lë si shteg shpëtimi braktisjen e tij dhe emigracionin me çdo rrugë, faturë, rrezik e perspektivë.
Shprehur me shifra apo më konkretisht, 140 deputetët në parlament; rreth 80 ministrat, zëvendësministrat, sekretarët dhe drejtorët e përgjithshëm, 800 gjyqtarët dhe prokurorët, së bashku me soj e sorollopin e tyre, i shohin dhe sodisin gjëmat, plagët dhe tmerret e sistemit apo të modelit të tyre, të dështuar pa filluar mirë e të penguar më së shumti prej tyre, por nuk i përjetojnë, sepse për ata Shqipëria është parajsë, ku mund të rrëmbejnë dhe gëzojnë gjithçka, pa u hyrë gjemb ligjor në duar e këmbë. Prandaj nuk ndjejnë asnjë pikë përgjegjësie dhe detyrimi t’u kundërvihen konkretisht dhe seriozisht të këqijave të sistemit dhe të mendojnë për një model, ku demokracia dhe ekonomia e tregut të funksionojnë pak më mirë e pak më ndershmërisht, edhe për shumicën e qytetarëve, përmbytur nga varfëria, padrejtësia, korrupsioni, mediokriteti dhe arroganca e diplomablerësve apo diplomakotët…
Prandaj, gjykoj se ka ardhur koha që t’i lutemi botës me një kërkesë krejt tjetër. Duhet të heqim dorë nga kërkesat urgjente që miqtë ndërkombëtarë të na ndihmojnë në procesin e integrimit në BE, financiarisht, ekonomikisht, ushtarakisht… Nëse na duan, siç na kanë dashur deri tani, dhe nëse dëshirojnë të na ndihmojnë shumë më tepër, do t’u ishim përjetësisht mirënjohës duke na shpëtuar njëherë e mirë dhe brenda një kohe sa më të shpejtë nga klasa politike, qeverisëse dhe juridike që ka mbretëruar në Shqipëri gjatë këtyre rreth 25 viteve të paskomunizmit. Kjo është shumë më prioritare dhe më urgjente. Pa dyshim, kjo është edhe në të mirën e vetë miqve tanë të shumtë në botë. Kështu do t’u hapej rruga djemve dhe vajzave që janë dimplomuar, që kanë kryer doktoratura dhe master në universitete prestigjioze në SHBA, Britani të Madhe, Gjermani, Francë, Zvicër, Austri, Holandë, Danimarkë, Suedi, Kanada… që kanë doza të pandjeshme komunistifikimi dhe partishmërie, që nuk kanë shtrënguar asnjëherë duart me politikanët dhe qeveritarët e gardës apo shkollës enveriane apo ramizjane… Gjithashtu, do të ishte mirë që të mos humbej kohë edhe me eksperimentimin e disa “zogjve” të dalë nga inkubatorët FRESSH, FRPD, LRI, sepse edhe shumica e figurave të tyre kanë marrë me bollëk “viruse” nga lidhjet dhe kontaktet me shefat dhe drejtuesit e tjerë të partive mëmë.
Pra, unë nuk jam i një mendimi me Sali Berishën, i cili më 3 dhjetor 2015 u bëri thirrje bizneseve, “që nuk duan të jenë të klientelës që të ikin nga Shqipëria”, që të mos futen në burgje për ligje, sipas tij të tipit “stalinist”. Përkundrazi, bizneset shqiptare duhet të qëndrojnë dhe fuqizohen këtu, duke u mbështetur gjithnjë e më fort tek paratë e ardhura nga puna dhe djersa e ndershme dhe duke luftuar gjithnjë e më tepër, së bashku me shumicën e qytetarëve, për t’ i bërë sa më të efektshme dhe mbështetëse demokracinë, ekonominë e tregut, qeverisjet… Njëkohësisht, duhet të vijnë edhe shumëfish më tepër biznese të huaja, duke luftuar të dyja palët demokratikisht kundër korrupsionit gjerështrirës e të plotfuqishëm, deri sa të demokratizohen në standardet më të përparuara edhe ligjet, edhe jeta ekonomiko-tregtare e sociale shqiptare. Pra, personalisht apo subjektivisht, jam i mendimit se ka ardhur koha që të largohen bosët apo baronët politikë e qeverisës, që janë lakuriqësuar si “investime” dhe “biznese” të pista apo edhe antikombëtare, që ua kanë bërë shumicës së shqiptarëve ferr këtë parajsë tokësore, deri aty sa të shohin si rrugë shpëtimi dhe mbijetese largimin masiv drejt Gjermanisë, SHBA-ve dhe disa vendeve të tjerë të Evropës Perëndimore…
Shumëkujt mund t’i duket tejet subjektive dhe radikale, absurde e groteske alternativa apo kërkesa për largimin nga Shqipëria të lidershipëve dhe ekipeve politike, partiake, qeverisëse, të drejtësisë, prokurorisë… Megjithatë, duke vazhduar këtë ide, miqtë ndërkombëtarë që mund ta marrin seriozisht mund të pyesin: mirë, po e pranojmë t’i marrim. Po ku t’i çojmë politikanët, qeveritarët dhe gjyqtarët e prokurorët tuaj, që u janë bërë të padurueshëm e të padëshirueshëm? Do të kemi probleme si me gjetjen e vendit ku mund t’i dërgojmë e me bashkëjetesën paqësore të tyre me vendësit, ashtu edhe me nivelin e lartë të ndotjes korruptive që mbartin. Me të drejtë ata mund të na pyesin: ç’të mirë mund të presim ne prej atyre që ua nxinë jetën bashkëkombësve të vet?
Dihet se bota është e madhe dhe e pafund. Me pasuritë përrallore që kanë fituar në poste e detyra bosët e politikës, të administratës dhe të drejtësisë shqiptarë, bashkë me familjarët më të afërt, ortakët, klientët, kukullat apo manekinët e tyre, mund të ndërtojnë e blejnë saraje sheikësh dhe miliarderësh, kompani apo korporata biznesesh në çdo cep të SHBA-ve, Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re edhe në xhunglat e Brazilit dhe Argjentinës, edhe në zemrat e shkretëtirave afrikane dhe aziatike; edhe në ishujt e panumërt të oqeaneve Paqësor, Atlantik, Indian… Disa prej tyre mund të blejnë toka të pamata e popuj të tërë, që mund t’i pranojnë e durojnë. E rëndësishme është të shpëtojnë Shqipëria dhe shqiptarët nga babëzia dhe pangopshmëria e tyre për pasurim sa më të madh vetjak, familjar, klanor, klientelist…. nga epoka e tyre e pakontrollueshmërisë dhe pandëshkueshmërisë ligjore.
Miq të tjerë mund të këshillojnë “largojini demokratikisht, me votë! Edhe kjo është një rrugë e gjerë dhe shumë e rrahur në botën e vërtetë demokratike, por që deri më sot është dëshmuar jo e efektshme dhe e suksesshme në Shqipëri. Bosët e politikës dhe të qeverisjeve dhe gjeneralët e ushtrive të tyre nuk do të kursehen dhe nuk do të varfërohen duke vazhduar zanatin e vjetër, të vendosin kandidatët që u duhen, pa u parë CV e dëshmi penaliteti, të blejnë sa u duhen vota, numërues, kontrollues dhe legalizuesh votash, fitoresh, mandatesh, kartonësh, kolltukësh…
Të tjerë ndërkombëtarë mund të na kujtojnë se ekziston edhe rruga ligjore, e arrestimeve dhe dënimeve, sipas fakteve dhe veprave të kryera, të bollshme e të pambulueshme me gjethet e gjithë drurëve dhe pemëve të Shqipërisë e jo më me ca gjethe fiku. Edhe në Shqipëri, në Kushtetutë e në muret ballorë të sallave të gjykatave shkruhet se “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”. Por, të dashur dhe të nderuar miq nga bota, besojmë se edhe ju e dini shumë mirë përderisa na e keni kujtuar disa herë, ky parim themelor i shumicës së demokracive reale nuk vepron dhe shprehet në jetën e përditshme në Shqipëri, kur është fjala për politikanë, qeveritarë dhe zyrtarë të lartë e përgjithësisht për gjyqtarë e prokurorë, sepse edhe njerëzit e drejtësisë janë skllevër të politikës dhe të korrupsionit, krimit dhe antiligjit. Atëherë çfarë na mbetet të bëjmë? Të presim me sytë nga qielli se mos Zoti na ndihmon të kemi edhe ne më në fund një klasë politike të përgjegjshme, konstruktive, me më shumë ndjesi njerëzore e kombëtare, si dhe nga Uashingtoni, Brukseli, Strasburgu, Berlini apo nga Venecia, me shpresën se miqtë ndërkombëtarë do të na ndihmojnë të kemi një Kushtetutë të standardeve më të mira, me efektshmëri të lartë dhe barazi të vërtetë para ligjit. Gjithashtu, edhe që të gjejmë nja 800 gjyqtarë e prokurorë të rinj, që nuk tremben dhe blihen nga Zeusët e politikës e të shtetit, të qeverive dhe të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri si dhe nga bosë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Tani për tani, të dyja duken më afër ëndrrës se sa mundësisë së shpejtë. Apo jo?

(d.d/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: