VLORE – Një kosovar dhe një serb i bashkon Flamurtari i Vlorës. Avni Pepa dhe Vukashin Tomiç janë dy qendërmbrojtësit e rinj kuqezi, teksa pritet të jenë “muri” i skuadrës vlonjate duke filluar nga ndeshja e 24 janarit kundër Teutës. Afrimet më të fundit të Flamurtarit në repartin e prapavijës kanë një të veçantë, pasi për herë të parë në zemër të mbrojtjes, ekipi vlonjat do t’i besojë një kosovari dhe një serbi. E kaluara dhe politika në këto raste harrohet dhe lihet pas, sepse të dy kanë ardhur te Flamurtari për të luajtur futboll dhe të bëjnë diferencën në fushë.
Gazeta “Panoramasport” shkruan se Pepa është një 26-vjeçar kosovar që ka lindur në qytetin Kristiansand të Norvegjisë, ndërsa Tomiç një 27-vjeçar nga Krusevaci i Serbisë. I pari vjen pas aktivizimit me Sandnes Ulf në Ligën e Parë norvegjeze, ndërsa i dyti me skuadrën e vendlindjes, Napredak Kursevac, që militon në Superligën serbe. Pepa dhe Tomiç janë të dy shtatlartë, por ai që dallon më shumë është serbi, thuajse dy metra i gjatë. Dje Tomiç ka zhvilluar stërvitjen e parë te Flamurtari dhe tashmë ka dy javë kohë për t’u përshtatur me grupin, për më tepër me kosovarin Pepa, i cili do të jetë “partneri” i tij në qendër të mbrojtjes kuqezi.
Dy mbrojtësit më të rinj të vlonjatëve kanë një eksperiencë të madhe me skuadra norvegjeze dhe serbe. Tomiç ka luajtur fillimisht me Napredak Kursevac në vitet 2005-2008, teksa si për koincidencë kjo skuadër është e fundit që ai ka bërë pjesë, përpara se t’u bashkohej kuqezinjve. Gjatë vitit të kaluar serbi ka luajtur për 6 muaj edhe në Rumani me Universitatean e Krajovës. Në karrierën e tij ka edhe një aventurë në Kazakistan me klubin Taraz, por shkëlqimi i 27-vjeçarit është në vitet 2011-2013, si pjesë e skuadrës së njohur serbe, Jagodina. Nga ana tjetër, kosovari Pepa ka nisur karrierën te Start në Norvegji në vitin 2007, ku është aktivizuar për tre vite. Për një sezon qendërmbrojtësi 1.84 metra i gjatë ka qenë i huazuar tek ekipi i ligës së tretë FK Mandalskameratene. Në tre vitet e fundit, Pepa ka qenë pjesë e Sandnes Ulf, ku është aktivizuar 52 herë, ndërsa ka arritur të shënojë edhe një gol në kampionatin e vitit 2012. Lojtari 26-vjeçar është aktualisht pjesë e Kombëtares së Kosovës, duke u aktivizuar në tri ndeshje gjatë vitit të kaluar.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: