Në komunikimin e sotëm publik kreu i opozitës Lulzim Basha bëri një paralajmërim të pazakontë në adresë të kompanive dhe bankave që financojnë projektet e koncesioneve/PPP-ve qeveritare, të cilat opozitat i ka klasifikuar si projekte korruptive, shkatërruese për ekonominë e vendit. Zoti Basha mori shkas nga projektet Milot – Balldre dhe Dukat – Orikum, të dyja rreth 370 milionë euro për 31 kilometra gjithsej, të cilat janë miratuar përfundimisht nga parlamenti, duke rrëzuar dekretet e presidentit.


“Ditën e nesërme ANK dhe Gjikuria do të paralajmërohen zyrtarisht me letër nga Partia Demokratike, në emër të Opozitës së Bashkuar, për të gjitha pasojat penale  dhe kriminale për ta dhe për çdo person privat të kompanive të tyre nga pronari dhe drejtuesit, deri tek juristët e kompanisë, si subjekte të ligjit të forcuar antimafia, ditën e parë që PD dhe opozita e bashkuar do të marrin përgjegjësitë e qeverisjes në vend.”- u shpreh zoti Basha, duke deklaruar se subjektet të ligjit të ri antimafia do të jenë dhe bankat që financojnë këto koncesione.


“Një letër e ngjashme do t’i dërgohet të gjitha bankave të nivelit të dytë pa përjashtim, për t’i paralajmëruar se çdo financim, kredi apo garanci bankare dhënë këtyre koncensioneve, do t’i bëjë këto banka automatikisht subjekte të ndjekjes antimafia. Do t’i vendosë ato menjëherë në vëmendjen e përditshme të opozitës sot dhe të qeverisjes së nesërme në bashkëpunim me SPAK, BKH dhe institucione të tjera ligjzbatuese të Shqipërisë dhe vendeve partnere.”- u shpreh zoti Basha në deklaratën e sotme.


Zoti Basha i bëri këto paralajmërime në emër të motos të falimentojnë grabitqarët, jo shqiptarët dhe Shqipëria. “Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar e kanë bërë zgjedhjen e tyre, ne jemi në krah të shqiptarëve për të shpëtuar vendin dhe për të ndëshkuar këtë bandë hajdutësh dhe kriminelësh”-u shpreh zoti Basha, i cili nuk dha detaje se çfarë do të përmbajnë këto letra drejtuar kompanive dhe bankave që financojnë projektet e koncesioneve/PPP-ve. Kjo është hera e parë në 30 vjet që një parti politike bën një paralajmërim të tillë për ata që i cilëson si bashkëpunëtorë të qeverisë në korrupsion dhe vjedhje.

Projektet e koncesioneve/PPP-ve janë projekte që ndërtohen nga privati me paratë e tyre dhe qeveria u paguan interesat për disa vite me rradhë, duke qenë se qeveria nuk ka para mjaftueshëm për të ndërtuar disa vepra njëkohësisht. Por ky mekanizëm, siç konstaton opozita është prishur, kur qeveria vendosi të fryjë koston e projekteve dhe të paguajë me interesa shumë më të shtrenjta se tregu interesat e kredive të kompanive për ndërtimin e këtyre projekteve.  Për ta konkretizuar më mirë këtë opozita sjell si shembull se 1 kilometër në bypassin e Fierit, e financuar nga BE, kushton më pak se 2 milion euro, ndërsa 1 kilometër e financuar nga qeveria shqiptare kushton  5, 7 deri në 10 herë më shumë, duke variuar nga 10 milionë në 14 dhe 20 milionë, siç ishte rasti i Unazës së Re.