ZVICER-Borxhet e shumta dhe mungesa e gatishmërisë për t`i paguar ato, kanë bërë që kosovarit 59 vjeçar t`i shqiptohet masa e dëbimit nga Zvicra, edhe pse ka mbi 30 vjet që jeton atje. Ai kishte ardhur në Zvicër në vitin 1981 si punëtor sezonal, ndërsa pas martesës që kishte bërë në vitin 1985, e kishte fituar edhe lejen e qëndrimit në këtë vend, shkruan tagblatt.ch.

Shqiptari nga Kosova, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur ka tre fëmijë të rritur që jetojnë në Zvicër. Pas vdekjes së gruas, ai në vitin 2012 ishte martuar në Kosovë me një shtetase bullgare. Nisur nga gjendja e tij e rëndë financiare, Zyra Kantonale për Migracion, në vitin 2013 kishte refuzuar t`ia ndante bashkëshortes së tij të re lejen e qëndrimit në Zvicër. Borxhet e shumta ishin po ashtu shkaku që autoritetet në vitin 2015 nuk pranuan t`ia rinovonin lejen e qëndrimit.

Zyra i ishte referuar Regjistrit të Zyrës së Përmbarimit (Betreibungsregister), në të cilën ai ishte i regjistruar 30 herë si borxhli, me një borxh prej 92.000 frangash. Krahas kësaj, ndaj shqiptarit janë lëshuar edhe disa urdhëresa te tjera për shlyerje të borxhit, transmeton albinfo.ch. Për shkak të këtyre borxheve, atij i është tërhequr vërejtja tri herë, por nuk kishte ndryshuar sjellje.

Pasi të gjitha instancat në nivel kantoni e kishin shpallur fajtor, kosovari kishte bërë ankesë edhe në Gjykatën Federale. Në ankesën e tij ai kishte argumentuar se perfshirja e tij në borxhe nuk kishte ndodhur “me dëshirë” dhe se ai kishte bërë çdo gjë që ishte në fuqinë e tij për t`i shlyer ato. Pastaj, dëbimi, ose kthimi në Kosovë, nisur nga mosha që ka dhe nga një infarkt që ka pësuar së fundi, nuk është masë e duhur, mendon ai. Kjo aq më tepër pasi që duhet të mbahet parasysh se ai jeton prej më shumë se 30 vitesh në Zvicër dhe fëmijët e tij janë rritur këtu. Madje ai vetë është i integruar këtu dhe nuk ka më lidhje me Kosovën.

Gjykata Federale në përgjigjen e saj ka pranuar se fakti i borxheve të shumta nuk është i mjaftueshëm për shfuqizimin e lejes së qëndrimit dhe për dëbimin e dikujt nga Zvicra. Por gjykata e arsyeton vendimin e instancave kantonale për dëbim në rastin konkret me faktin se 59 vjeçarit i ishte tërhequr vërejtja tri herë qe shlyente borxhet. Por ai, në vend se të përmirësonte gjendjen e tij financiare, hynte në borxhe të reja. Kështu, as Gjykata Federale tashmë nuk beson në përmirësimin e situatës në këtë drejtim, transmeton albinfo.ch. Para kësaj, edhe Gjykata Administrative e St. Gallenit kishte konstatuar se ekzistonte një interes publik që kosovarit t`i merrej leja e qëndrimit me qëllim mbrojtjen e kreditorëve të ardhshëm.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb