KOSOVË- Me gjithë zërat kundër, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk heq dorë nga ideja e korrigjimit të kufijve, pasi siç thotë ai është mundësia e vetme paqësore që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkohen Kosovës.

Thaçi e sheh shpresën tek qytetarët e Kosovës, duke theksuar se po punon që të mundësohet referendumi dhe të vendosin ata për kufijtë.

Presidenti i Kosovës sqaron se nuk është për ndarje dhe shkëmbim territoresh por vetëm korrigjim të kufirit në favor të Kosovës.

“Një mesazh për ata që mendojnë se korrigjimi i kufijve në mënyrë paqësore është ide e keqe, përkundër faktit se e dinë që është mundësia e vetme që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkohen Kosovës.
Që të jem i qartë: Unë e kam hedhur poshtë me kohë opsionin e ndarjes dhe të shkëmbimit të territoreve. Unë jam duke folur vetëm për korrigjim të kufirit në mënyrë paqësore, dhe atë, në favor të Kosovës. Ndërsa, kundërshtuesit e këtij propozimi, propagandojnë për ndarje dhe shkëmbim të territoreve”, shprehet Thaçi.

Ai thotë se “në një situatë të tillë, vërtet që nuk mbetet rrugë tjetër përveç fuqizimit të vendimmarrjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke iu mundësuar atyre për të vendosur vetë se kush ka të drejtë dhe se cili opsion është në interes të Kosovës”.

“Prandaj, është e domosdoshme që t’iu mundësojmë qytetarëve tanë të drejtën e referendumit, gjë që për të cilën jam duke punuar që të bëhet realitet”, e mbyll mesazhin e tij Presidenti i Kosovës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb