Nën hijen e madhe të Institutit Italian të Kulturës, Biblioteka Kombëtare, çel të hënën një ekspozitë me koleksionet veneciane, pjesa më e madhe e të cilëve të pakekspozuar më parë. 600 libra dhe harta, nga 1400 deri në 1800-ën, të gjitha të shtypura në Venedikun e dikurshëm. Dalja e tyre në dritë është një rrekje për të treguar thesaret e bibliotekës që jeton me frikën e përmbytjeve e zjarreve, në mungesë hapësirash dhe me premtime të pambajtura si nga autoritetet edhe nga shteti shqiptar.
“Janë këta libra që i shtojnë prestigjin çdo biblioteke. Për fat të keq ne nuk kemi kushtet optimale në Bibliotekë. Liruam sallën shkencore, hoqëm karriget e librat për të bërë ekspozitën. Patëm një premtim nga Banka e Shqipërisë për të na dhënë Hotel Dajtin, por në momentin e fundit pas premtimeve, guvernatori u tërhoq dhe u detyruam ta bëjmë këtu. Ekspozimi i tyre kërkon kushte të veçanta ruajtjeje, se janë me vlera të veçanta”, tha Piro Misha drejtor i BKSH-së.
Bibla e parë në gjuhën osmane është në mesin e thesareve të sapozbuluarura, sikundër n jë botim unik i 1520-ës.
“Një libër i vogël që kemi ne të 1520-ës, që ne nuk e quanim me ndonjë vlerë, rezultoi që është libër shumë i rrallë, që ka vetëm një kopje në ‘British Library’ dhe kopjen e dytë e kemi ne. Janë letrat e mbretit Filip II i Spanjës, drejtuar Papës në lidhje me rrezikun e pushtimin osman të Maltës”, tha Misha.
Prania e botimeve të rralla, në një vend të vogël që më e pakta, nuk ka një Bibliotekë Kombëtare në lartësinë e duhur, sa ç’habit, po aq shton vlerat ndërsa sërish mbështetemi te ndihma e huaj.
“Kur kam parë katalogun e këtyre botimeve jam habitur, pasuria e kësaj trashëgimie është surprizuese. Të gjesh në fondet e Bibliotekës botime të çmuara të 1500-ës…është në shenjë e një udhëtimi e pranie të Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur dy javë.