E ka të pamundur të reagojë Man.United. Djajtë e kuq pësuan një tjetër humbje, e treta radhazi në Premier League, e katërta bashkë me ndeshjen në Kupë. Në Old Trafford, Newcastle triumfoi me rezultatin 2-0, me qymyrxhinjtë që zgjidhën gjithçka brenda pjesës së parë, më saktë brenda 19 minutave. Pas kësaj humbje, United e mbyll vitin në vendin e 14-të në kuotën e 22 pikëve, me publikun që nuk u kursye aspak duke vërshëllyer Amorim dhe të besuarit e tij.
E ka të pamundur të gjejë fjalët e duhura pas një humbje të tillë trajneri Amorim: “Është vërtetë e vështirë. Është një nga moment më të vështira në historinë e klubit tonë. Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të luftojmë, të punojmë fort dhe të kalojmë këtë moment”, u shpreh Amorim. Në sfidën tjetër të kësaj jave në Premier League, e fundit për këtë vit, Aston Villa dhe Brighton ndanë nga një pikë pas barazimit 2-2.