Një peshkatar 61-vjeçar peruan është gjetur i gjallë në ujërat ndërkombëtare, 94 ditë pasi varka e tij e peshkimit u zhduk në det të hapur.
Sipas shefit të portit Jorge Gonzalez, një varkë nga Ekuadori dalloi varkën e vogël të peshkimit të Maximo Napa-s duke lëvizur në rrymat jashtë portit të Chibote, në veri të Perusë, të martën e kaluar.
“Ai mbërriti në gjendje të mirë fizike. Ishte në gjendje të ecte dhe të lahej”, tha shefi i portit për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP). Pas marrjes së ndihmës mjekësore, 61-vjeçari ka dalë dje të shtunën nga spitali ku ishte shtruar.
Peshkatari u nis më 7 dhjetor nga porti i San Juan de Marcona. Por kushtet e këqija të motit dhe rrymat e forta bënë që ai të humbiste drejtimin. Rreth 10 ditë më vonë, varka e vogël e peshkimit pati një problem mekanik dhe mbeti e bllokuar në det të hapur, pa një radio fener emergjence.
“Është një mrekulli që gjetën babanë tim. Ne kurrë nuk e humbëm shpresën,” tha vajza e tij, Ines Napa, për radion RPP.
Maximo Napa mbijetoi duke ngrënë buburreca, peshq dhe zogj, ndërsa pinte ujë shiu dhe gjak breshkash, teksa qante para gazetarëve të premten mbrëma. “Nuk doja të vdisja. Për nënën time mendoja çdo ditë”, theksoi ai.