Një stendë si skelë ndërtimi përbën mbase mënyrën më të veçantë dhe hokatare për të ftuar lexuesin drejt librit artistik e studimor. Botuesja e “berk” Anna Shkreli tregon se gjetja është një qasje ndryshe në një festë libri ku idetë origjinale shpalosen vit pas vitit.

“Ne çdo vit përpiqemi të sjellim një etos të ri. Ideja është të jemi pak lozonjarë. Stenda ka edhe një lloj shakaje, një ironi të brendshme. Shitjet e librave kanë pësuar rënie jo vetëm në krahasim me vitin që shkoi, por në përgjithësi. Duhet thënë që edhe përmes krizës, inflacionit por edhe shkak të rritjes së çmimit të letrës, e kemi pasur një problem me industrinë e librit këtë vit, kështu që kjo ka qenë mënyra jone hokatare për ta sjellë në vëmendje. Donim shumë që edhe industria e librit të bëhet po aq e kuotuar dhe po aq e mirëqenë sa industria e ndërtimit në vend, ka qenë shaka dhe një lojë për të tërhequr vëmendjen në panair” tha botuesja Anna Shkreli.

Shënimi “Me 1800 euro metri i librit”, mund të ishte një alegori por i shkon gjithsesi frymës së stendës dhe humorit të librarëve që gjejnë mënyrat e tyre artistike për t’u shfaqur dhe për të tërhequr. Ndërkaq Shkreli, veçon botimet e Berk në stendë.

“Ne sjellim ‘Matrikullin e shkollës së arbërve i kuruar nga Luçia Nadin që plotëson atë që ne dimë për historinë tonë arbërore dhe ka një parathënie nga Ardian Ndreca. Është një regjistër që dëshmon pikërisht aktivitetin e shoqatës së Arbërve në Venedik nga shekulli XV deri në shekullin e XVIII kur ajo e resht funksionin e saj. Kemi sjellë po ashtu ‘Rrëfenjat e Rudyard Kipling, një nobelist shumë i njohur që sjell 5 rrëfenja për fëmijë, me një humor të veçantë anglez. Titulli i tretë që kemi dhe që e kemi shumë të rëndësishëm janë ‘Lulet e këputura’ një përzgjedhje nga vepra e Bodlerit ‘Lulet e së keqes’. Ka një debat editorie për titullin, nëse ruhet apo jo origjinali, por ne donim që të tregonim që nuk është vepra e plotë- vepra e përkthyer nga Ledi Shamku”, thotë Anna Shkreli.

Përkthime, autorë shqiptarë dhe studime vijnë në pak metra katrorë, por sigurisht me çmime më të lira se metri katror i ndërtimit dhe më lirë se në ditët e tjera të vitit.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb