Halit Valteri (PS) dhe Ilir Alimehmeti (PD), anëtarë të këshillit bashkiak të Tiranës, debatuan lidhur me aksionin opozitar dhe kërkesën për qeveri teknike.
Alimehmeti tha se opozita vijon aksionin e saj, duke vënë theksin në kërkesën për një qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai tha se ne nuk jemi një shtet demokratik përsa kohë kjo mazhorancë shpërfill ligjet dhe Kushtetutën. “Ne jemi në një shtet diktature, shteti i diktaturës nuk respektohet. Do të vazhdojmë sipas situatave”, tha Alimehmeti.
Por Valteri në reagimin e tij tha se shqiptarët nuk e kanë mandatuar PS-në për të qeverisur 3 vjet, por 4 vjet. “Mesa di unë shqiptarët na kanë mandatuar për të qeverisur 4 vjet, dhe jo 3 vjet, dhe 1 vit qeveri teknike”, tha Valteri. Duke ironizuar deklaratat e opozitës, Valteri tha se ne gjithmonë i vjedhim zgjedhjet dhe i marrim me kriminelë. “E mbani mend Gazment Bardhin që thonte se Suel Çela mban Sali Berishën, kundër Lulzim Bashës. Tani thotë mban Edi Ramën. Shumë i fortë ky Suel Çela mban Berishën, Bashën, Ramën, Metën dhe gjithë të tjerët”, tha Valteri.