Lituanezi Andrius Kubilius, 68 vjeç, do të jetë Komisioneri i Mbrojtjes në ekzekutivin e ri evropian të Ursula von der Leyen. Një zgjedhje e cila, e kombinuar me emërimin e estonezes Kaja Kallas në krye të politikës së jashtme të BE-së, i dërgon një mesazh të qartë Rusisë së Vladimir Putinit.

Prandaj, dy përfaqësues të vendeve baltike, më të ekspozuarat ndaj kërcënimeve që vijnë nga Lindja, do të jenë përgjegjës për menaxhimin e marrëdhënieve me Kievin dhe Moskën dhe për vendosjen e strategjisë së re. Mario Draghi, në raportin e tij për konkurrencën, nënvizoi gjithashtu urgjencën e zhvillimit të industrisë evropiane të armatimeve duke filluar nga aksesi më i madh i kompanive në këtë sektor deri te financimet nga Brukseli.

Portofoli që do të duhet të përballet me këtë mision delikat është tashmë në duart e Kubilius, i njohur për pozicionet e tij të ashpra anti-Putin.

Është hera e parë që Komisioni Evropian parashikon një rol të përqendruar ekskluzivisht në mbrojtjen. Për momentin, fondet që duhen menaxhuar nuk janë të mëdha: janë 6 miliardë të mbetura nga EDF, fondi i mbrojtjes i BE-së që financon projekte të përbashkëta midis shteteve të BE-së për kërkimin dhe zhvillimin e mjeteve dhe armëve ushtarake. Më pas është Programi i BE-së për Industrinë e Mbrojtjes (EDIP), i cili siguron burime deri në 1.5 miliardë euro për të forcuar kapacitetin ushtarak të bllokut. Pa harruar menaxhimin e programeve satelitore Galileo dhe Copernicus, konstelacioni i ri satelitor i Internetit IRIS² , i cili duhet të konkurrojë me rrjetin Starlink të Elon Musk.

Kubilius do të jetë në gjendje të përdorë studimet e tij në fizikë, por mbi të gjitha në përvojën e tij të gjatë politike, fillimisht si kundërshtar i Bashkimit Sovjetik, më pas si kryeministër i Lituanisë dhe në fund si anëtar i Parlamentit Evropian.

Në Strasburg, Kubilius, i cili është pjesë e Partisë Popullore Evropiane, u mor me marrëdhëniet me Rusinë. Tashmë në vitin 2021, përpara pushtimit të ri të Ukrainës, ish-kryeministri lituanez kishte deklaruar se ishte “e pamundur” të kishte marrëdhënie të mira me Moskën dhe Putinin dhe i kishte kërkuar BE-së që gradualisht të eliminonte importet e saj të naftës dhe gazit natyror nga Rusia.

Ndër detyrat e tij, Kubilius do të duhet gjithashtu të forcojë bashkëpunimin e mbrojtjes me Ukrainën.

Fondet e BE-së për këtë sektor nuk janë të mëdha, por gjërat mund të ndryshojnë së shpejti. Nga shumë anë janë ngritur zëra në favor të krijimit të një lloj Fondi të Rimëkëmbjes 2.0, por që synon ekskluzivisht (ose kryesisht mbrojtjen), që do të financohet me emetimin e eurobonove nga Brukseli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb