TIRANE- Një spiun në radhët e negociatorëve. Kjo është deklarata e ish-kryeministrit Berisha, që i ka dhënë një tjetër drejtim diskutimeve për negociatat me Greqinë. Menjëherë për këtë deklaratë erdhi edhe reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes, duke e cilësuar këtë një histori të trilluar. Sipas tyre Artur Meçollari ka certifikatë sigurie, dhe është pjesë e forcave të NATO-s në Afganistan.


Pavarësisht kësaj deklarate të Berishës, Ministria e Jashtme ka dorëzuar ditën e sotme në Presidencë listën me emrat e 12 negociatorëve. Pas këtij hapi, pritet të shihet nëse Kreu i shtetit do ta miratojë atë.


Duke diskutuar në lidhje më këto debate, ish-ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, tha në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News 24” se të bësh deklarata të tilla, si ajo e ish-kryeministrit Berisha për njërin nga negociatorët me Greqinë, është një përgjegjësi shumë e madhe.


Sipas tij, pas kësaj deklarate duhet të vihen në lëvizje insitancat përkatëse.

Lidhur me këtë çështje, kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erl Murati se personat që do të negociojnë me palën greke, duhet të jenë publikë. Sipas tij, është e rëndësishme që ky proces të jetë transparent.

“Mendoj se në grupin neogociator duhet të kishte më shumë ekspertë që e njohin të drejtën e detit. Z.Meçollari ka një kurikulum të pasur. Ai ka një eksperiencë të gjatë terreni, ka qenë në Afganistan. Deklaratat ndaj tij them se janë politike, por është pranuar se ky person ka qenë në survejim, ndonëse nuk iu gjet ndonjë shkelje. Megjithatë mendoj se negociatorët duhet të ishin gjetur pa ‘cene’ të tilla, në mënyrë që ky proces të mos jetë i paragjykuar”, u shpreh Murati.

(el.sp/BalkanWeb)