UASHINGTON

Njeriu u nxit të eci mbi dy këmbë nga një shpërthim supernovë, që ka ndodhur mes tetë dhe 2,6 milionë vite më parë rreth 163 vite dritë larg Tokës.

Ky spektakël fishekzjarrësh kozmike bombardoi atmosferën, duke e mbushur me një sasi gjigante elektronesh dhe duke rritur kështu frekuencën e vetëtimave.

Për pasojë u rritën zjarret në pyje ku jetonin ende paraardhësit e njeriut, të nxitur që të lëvizin në savana për t’i shpëtuar flakëve, sipas studimit të publikuar në revistën shkencore “Journal of Geology” nga grupi i studiuesve të universitetit amerikan të Kansasit dhe të koordinuar nga Adrian Melott.

Ky studim bazohet në analizimin e pranisë, në fund të oqeaneve, të një izotopi të rrallë të hekurit, “ferro-60”, që sipas astronomëve lidhet pikërisht me shpërthimin e supernovave. Për më tepër, studiuesit kanë zbuluar në të njëjtat sedimente një sasi të madhe karboni dhe bloze.

“Kjo shtresë është e përhapur në të gjithë botën, edhe në zona të ndryshme klimatike dhe askush nuk ka arritur deri tani të shpjegojë motivin. Ne mendojmë se mund të jetë lidhur me zjarret e shkaktuara nga shpërthimi i supernovës”, thekson Melott.

“Në atë kohë, paraardhësit tanë kishin filluar të kishin tendencën e ecjes mbi dy këmbë, por ishin ende të mësuar të ngjiteshin nëpër pemë”, shtoi ai.

“Jeta e re në savana i nxiti që të ecin më gjatë dhe më shpesh përmes prerive, nga një pemë në tjetrën dhe ky stil lëvizjeje përforcoi ecjen mbi dy këmbë. Një prej avantazheve që kishte ky qëndrim ishte dallimi i grabitqarëve të ndryshëm që në distancë”, përfundon Melott. /ATA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: