NGA MOIKOM ZEQO*
De Rada shkroi shumë për filologjinë dhe sidomos përgjuhën shqipe. Midis të tjerave në Testamentin Politik në 1902-shin De Rada ravijëzoi edhe disa rreshta për një teori gjuhësore të përbotshme.
Ai mendon se tërë gjuhët, pavarësisht dallimeve, kanë edhe diçka të përbashkët.

Ai thotë: “Shihni! Çdo komb, në vetvete, është i ndarë e i ndryshëm nga popujt e afërm dhe të largët, ashtu sikurse çdo fytyrë burri e gruaje lind në tokë.

Pse ndodh kështu, nuk e dimë. Është e ndryshme, në amshim, njëra nga tjetra.
Duke marrë parasysh jehun, me të cilin gjuhët e ndryshme, që ndryshojnë nga jashtë, pasqyrojnë, në mënyra të ndryshme, dukuri të botës dhe vegimet në të të shpirtrave njerëzorë, themi se ato janë pasqyra e jetës së plotë pranë prehrit të Atit e pranë grigjave të heshtura, që e dëgjojnë dhe që e kanë për Zot.

As kombet e mësuara nga bashkësia e gjakut, as gjuhët, me anën e të cilave këto njihen, nuk janë bërë prej vetë njerëzve, në kohë të ndryshme. Ato i krijoi Zoti bashkë me njerëzit, nga hiçi, ashtu siç bëri e lindën nga balta pemët me bisqe e me fruta të ndryshme, njëra më e këndshme se tjetra.
E dimë se kjo doktrinë kundërshtohet prej pedantëve të shkencës.

Ajo vetëm sqaron e përligj faktin se gjuhët janë të gjitha të lidhura me një sintaksë të vetme, të pashkëputshme me formën e vetme të racës njerëzore, dhe faktin tjetër se fëmijët, që dalin në dritë nga mosqenia, kuptojnë shpejt – dhe as nuk e dinë si – vështrimin, të cilin e ka fjala e, po me kaq lehtësi, marrin vesh edhe njërën, edhe tjetrën.

Të gjitha kombet, jo pse të lindura me gjuhë të ndryshme, janë kundërshtare njëra me tjetrën, por shpejt – nuk e di me çfarë kënaqësie – flasin mes tyre e duket se larmitë e kombeve e të gjuhëve të tyre janë bekuar për të gjallëruar sa të jetë jeta.”

De Rada si mistik mendon për një gjenezë hyjnore të tërë gjuhëve, që mbas prishjes së Kullës së Babilonit nga Zoti në tërë gjuhët e ndryshme ruajnë diçka të përbashkët, parake dhe ftillëzuese.
Në këtë pikë të fundit De Rada gati e “kundërshton” prishjen e gjuhës së vetme nga Zoti, duke reflektuar në një mbijetesë të së “përbashkëtës”, pra në një “matricë gjuhësore universale”.

Gjuhëtari amerikan Noam Chomsky krijoi teorinë revolucionare linguistike, që u quajt “gramatika gjenerative”. Për Chomsky-n nevojë gjuhësore është domosdoshmëria jetike dhe ekzistenciale për njeriun dhe specien njerëzore. Njohja e aftësisë sonë biologjike për gjuhë përbën bazën e shkencës kognitive gjuhësore.

Ç’sasi të gjuhës kemi të koduar në gjene? Dhuntia gjuhësore është dhunti e brendshme e qenies njerëzore. Çdo rregull gjuhësor është pjesë potenciale e sintaksës universale, – shpjegon dhe ngul këmbë Chomsky.
Linguisti amerikan Chomsky mendon se rregullat gjuhësore potencialisht janë të trashëguara që në lindje te fëmijët.

Pikëpamja e Chomsky-t njihet në botë si hipoteza e nativizmit gjuhësor.
Në këtë rast, edhe teoria gjuhësore e De Radës është një variant biblik (ose antibiblik) i nativizmit gjuhësor të Chomsky-t.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: