Një tjetër emër i është shtuar garës për në Primaret ne PD për të kandiduar më pas për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Bëhet fjalë për avokaten e njohur dhe aktivisten Adriana Kalaja.

Kjo e fundit, demokratja e katër në radhë që i është bashkuar Primareve, teksa prezantoi kandidaturën e saj pohoi se do të ofrojë për Tiranën, një alternativë shpëtimi.

Kujtojmë se deri më tani për Primaret kanë shpallur kandidaturën, Belind Këlliçi, Gert Bogdani si dhe Ilir Alimehmeti.

DEKLARATA E KALASE
Të nderuar demokrate e demokratë,
Të nderuar bashkëqytetarët e mi,
Të nderuar miq dhe bashkëpunëtorë,
Sot kam vendosur të shpall kandidaturën time për të marrë pjesë në garën e Tiranës.
E lindur dhe rritur në Tiranë, nga një familje e thjeshtë por me tradita dhe parime morale, prindërit e mi kanë ushqyer tek unë dashurinë për Tiranën dhe identitetin e saj, vlerësimin për historinë qindravjeçare të saj, si edhe vlerat e larta për të qëndruar në krah gjithmonë të atyre, që kanë nevojë dhe të pamundurve.
Nuk besoj të ketë ndonjë qytetar të Tiranës dhe të rrethinave, që të mos ketë provuar “Kafen e Rremës”, të babait tim të ndjerë dhe të mos ketë shijuar gatimet nga duart e arta të nënës time.
Me edukatën e tyre për punëen kam ecur në jetë,  duke kaluar vështirësi të shumta, por edhe me arritje të mëdha, ku do të veçoj dy fëmijët e mi të mrekullueshëm.

Kam mbaruar Fakultetin Ekonomik, Dega Financë në vitin 1987 dhe në 2010 Fakultetin e Drejtësisë, Dega Juridik. Kam investuar në rritjen time profesionale dhe sot disponoj 4 liçenca, atë të Avokatit, të Kontablit të Miratuar, të Ekspertit Fiskal dhe të Ndërmjetësit.
Po kështu, kam ushtruar profesionin e mësimdhënies në degët bazë të finances dhe ekonomisë për vitet 1998-2009.
Si grua, qytetare, nënë dhe gjyshe e di shumë mirë se çfarë do të thotë të marrësh përsipër sfida të tilla, aq më shumë kur përballëke një pushtet, që ka deligjitimuar votën dhe garën, i cili mbahet në këmbë nga bashkëpunimi me mafian dhe krimin për të vjedhur votat.
Por mua më pëlqen të sfidoj dhe të luftoj.
Më pëlqen të luftoj për atë që është e drejtë dhe të fitoj.
Të gjithë jemi dëshmitarë të transformimit dhe përçudnimit, që Kryetari i Bashkisë Veliaj, duke ndjekur të njëjtën rrugë si ajo e shefit të tij Rama, në bashkëpunim me mafian e betonit, i kanë bërë Tiranës.
Të gjithë e provojmë çdo ditë, se çfarë do të thotë të qarkullosh në Tiranë apo të parkosh. Edhe në rastet emergjente.
Po kështu, të gjithë e shohim se hapësirat e gjelbra dhe terrenet sportive janë zëvendësuar me kullat shumëkatëshe, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse pastrim parash.
E gjitha kjo me një ndikim në ajrin që thithim çdo ditë nëpër rrugët e Tiranës, ajër i mbushur me pluhurin e betoniereve dhe zhurmën e tyre, që kanë zëvendësuar edhe ninullat e nënave, duke ndikuar dhe ulur ndjeshëm cilësinë e jetës.
Të flasësh në vitin 2022 për mungesën e ujit dhe të transportit publik në shërbim të qytetarëve e bën Tiranën të krahasueshme me vendet e pazhvilluara shumë larg Europës dhe aspak me ato në mes të saj gjeografikisht.
Ka shumë gjëra, që mund të flasësh sot në lidhje me shkatërrimin e Tiranës, por mbi të gjitha mungesa e theksuar në respektimin e ligjit, si edhe shkelja me vetëdije e tij si në rastin e Unazës së Re, e Bregut të Lumit, 5 Maji, Laprakë, Paskuqan, Baldushk e gjetkë dhe që kulmoi me shembjen e Teatrit Kombëtar. Këto dëshmojnë për alternativën, që ka paraqitur Erion Veliaj dhe ata që i shërbejnë  në gjithë këta vite.
E gjitha kjo, nën një plan anti-Tiranë, ai i humbjes së kujtesës, historisë, trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar.
Ndiej dhimbje, tek eci në rrugët e Tiranëssime, të Tiranës sonë dhe nuk gjej asnjë objekt t`ua tregoj fëmijëve të mi sot dhe nesër, nipave apo mbesave.
Ne e shohim çdo ditë, se Erion Veliaj dhe të gjithë ata, që i shërbejnë, nuk ndalen.
Madje çdo ditë, aktet korruptive dhe veprat penale, që konsumojnë, konkurojnë njëra – tjetrën dhe jemi edhe në vështirësi kohore për t`i denoncuar ato.
Por ne DUHET t`i ndalim.
Ne do t`i ndalim!
Ndaj sot, më shumë se kurrë, duhet një alternative serioze për shpëtimin e Tiranës, për ta pastruar atë nga çibani Erion Veliaj dhe gjithë çibanët e betonit shumëkatësh, që kanë mbirë me firmën e tij nëpër Tiranë.
Ndaj sot unë jam përpara jush për t`ju dhënë një alternativë jo vetëm fituese ndaj Erion Veliajt, por edhe një alternativë shpëtimi për Tiranën tonë.
Unë dhe gjithë Qëndrestarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit e kemi dëshmuar këtë, duke u bërë pengesë serioze për fillimin e punimeve të ndërtimit të teatrit të ri korruptiv dhe duke kontribuar në fitoren e arritur në Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar.
Tirana fitohet me frymë.
Tirana fitohet me parime.
Tirana fitohet me integritet.
Tirana fitohet duke mos bërë kompromis në kurriz të asaj, që beson.
Unë besoj fort, se do t`ja kthejmë Tiranën qytetarëve të saj.
Të dashur miq,
Të dashur demokratë dhe demokrate,
Të dashur bashkëqytetarë,
Duke u uruar suksese në garë miqve të mi demokratë Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti dhe Gert Bogdani, e bindur se nga procesi i primareve nuk do fitojë emri i kandidatit, por PDSH, nga kjo foltore zotohem se:
–      Do pranoj çdo rezultat, që do të dalë pas votimit nga anëtarësia dhe simpatizantët;
–      Do jem në krah të kandidatit fitues, për të arritur fitoren ndaj së keqes së madhe të Tiranës me emrin Erion Veliaj.
Duke ju bërë thirrje të gjithëve, të bashkohemi në protestën e 12 nëntorit, si e vetmja mënyrë për të rrëzuar këtë regjim, do doja t`ju kujtoja një shprehje, të nënës time, por me siguri të të gjithë nënave dhe grave heroina shqiptare: “Hajde të pastrojmë shtëpinë me themel!”.
Ndaj unë sot ju bëj thirrje të gjithëve ju:
“HAJDENI TË PASTROJMË ME THEMEL TIRONËN TONË!”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb