Armenia zyrtarisht ka njohur shtetin palestinez, bëri të ditur Ministria e Jashtme e këtij shteti përmes një deklarate për media më 21 qershor. Armenia bëhet shteti i fundit që njeh shtetin palestinez, pavarësisht kundërshtimeve nga Izraeli. Jerevani mbështet rezolutën e Kombeve të Bashkuara për një armëpushim të menjëhershëm në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë dhe mbështet zgjidhjen me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez, u tha në deklaratë.

Autoriteti Palestinez, që ushtron vetëqeverisje të kufizuar në Bregun Perëndimor – që gjendet nën pushtimin izraelit – mirëpriti vendimin e Armenisë. “Kjo njohje kontribuon pozitivisht në ruajtjen e zgjidhjes me dy shtete e cila përballet me sfida sistematike, dhe promovon sigurinë, paqen dhe stabilitetin për të gjitha palët e përfshira”, u tha në deklaratën e presidencës së Autoritetit Palestinez.

Ky vendim i Jerevanit nxiti zemërim në Izrael, shtet që ftoi në bisedë ambasadorin armen. “Pas njohjes nga Armenia të shtetit palestinez, Ministria e Jashtme ftoi ambasadorin armen në Izrael në takim për qortim të ashpër”, u tha në një deklaratë për media. Spanja, Irlanda dhe Norvegjia janë në mesin e shteteve perëndimore që zyrtarisht e kanë njohur shtetin palestinez muajin e kaluar, duke nxitur Izraelin që të tërheqë ambasadorët e tij nga Madridi, Dublini dhe Oslo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: