Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është shprehur në 1-vjetorin e sulmit të Banjskës, se Shqipëria mbështet Kosovën në përpjekjet dhe arritjet e saj, për vendosjen e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e vendit.

Në reagimin e saj, MEPJ shpehet se është e papranueshme që autorët përgjegjës të këtij krimi mbeten ende të lirë.

Më tej ministria e Jashtme thekson se Shqipëria mirëpret vendimin e Prokurorisë së Kosovës, për të ngritur aktakuzë kundër të dyshuarve për organizim dhe kryerje të këtij sulmi.

Reagimi i plotë:

Sot mbushet një vit nga sulmi terrorist i grupit të armatosur serb në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Duke kujtuar me nderim,sakrificën e Afrim Bunjakut, Shqipëria mbështet Kosovën në përpjekjet dhe arritjet e saj, për vendosjen e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e vendit.

Është e papranueshme që autorët përgjegjës të këtij krimi mbeten ende të lirë. Drejtësia duhet të vihet në vend pa vonesa dhe justitifikime.

Shqipëria mirëpret vendimin e Prokurorisë së Kosovës, për të ngritur aktakuzë kundër të dyshuarve për organizim dhe kryerje të këtij sulmi brutal. Llogaridhënia është element kyç për parandalimin e përshkallëzimeve dhe konsolidimin e paqes në të gjithë rajonin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb