Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit bëri të ditur se ambasadori i saj dhe stafi tjetër i ambasadës janë kthyer në Teheran, një vit e gjysmë pas një sulmi vdekjeprurës në objektin e saj diplomatik atje. Misioni diplomatik do të punojë në ambiente të reja dhe Irani “do t’i zbatojë hapat e duhur për të siguruar mbrojtjen diplomatike përpara ndërtesës së re”, tha ministria azerbajxhanase.
Bakuja e mbylli ambasadën dhe evakuoi stafin në fund të janarit të vitit 2023, pas një sulmi të armatosur në ndërtesë. Sulmuesi vrau shefin e sigurisë së misionit dhe plagosi dy zyrtarë të tjerë të sigurisë. I dyshuari u ndalua, u gjykua për një vit dhe, sipas Ministrisë së Drejtësisë në Iran, u dënua me vdekje.
Deri në mes të vitit të kaluar, tensionet mes Azerbajxhanit dhe Iranit ishin të larta. Ato i shkaktuan stërvitjet ushtarake që po kryenin të dyja vendet pranë kufirit të njëra-tjetrës. Por, në fund të vitit të kaluar, zyrtarët e dy vendeve filluan të jepnin deklarata pozitive për njëri-tjetrin. Për më tepër, këtë vit, forcat ushtarake të të dyja vendeve zhvilluan stërvitje të përbashkëta.