Sot bëhet plot një vit që emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” nisi rrugëtimin e tij në News24. Ideja brilante e Elvis Naçit për të ndihmuar njerëzit e sëmurë dhe në nevojë, ndërthurur me mesazhet e forta në studio, mori udhë në 19 janar të vitit 2018, me një emision që u bë i dashur që në puntatën e tij të parë.

Emisioni drejtohet nga moderatorja Ola Bruko, e cila çdo të premte së bashku me Elvis Naçin dhe Sidrit Bejlerin, bëjnë të mundur që dhjetëra familje shqiptare këtej dhe andej kufirit të buzëqeshin, të fshijnë lotët dhe të fillojnë të jetojnë.

Qindra familje shqiptare që jetonin në mizerje e varfëri janë bërë me shtëpi të reja, dhjetëra të sëmurë, veçanërisht fëmijë, janë dërguar në spitale të specializuara për t’u kuruar dhe ia kanë dalë, qindra-mijëra njerëz marrin nga fondacioni “Firdeus” dhe emisioni ushqimin e tyre të përditshëm.

Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” ka shikueshmëri të lartë dhe po përlqehet çdo ditë e më shumë nga shikuesit për shkak të mesazheve pozitive që përcjell dhe punëve të mira që bëhen me shpejtësi e transparencë. Mijëra mesazhe vijnë në postën e emisionit, në rrjetet sociale të Elvisit, Sidritit e Olës për persona që kërkojnë por edhe që duan të japin ndihmë.

Sezoni i ri i tij pritet të nisë së shpejti dhe stafi është duke u përgatitur për të rifilluar me histori njerëzore që vërtet të trishtojnë, por që gjithmonë kanë një fund të lumtur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb