Një lloj i ri zogu ka ngritur folenë në Shqipëri e pikërisht në zonën Vjosë-Nartë. Shoqatat mjedisore kanë konstatuar dhe regjistruar për herë të parë praninë e këtij lloji të ri në Shqipëri: Phalaropus lobatus për të cilën ende nuk ka edhe një emër shqip. Ai u vërejt në zonën e peisazhit të mbrojtur “Vjosë-Nartë” përgjatë monitorimit vjeshtor të shpendëve shtegëtues në vitin 2014.

Phalaropus lobatus është një baltak që folëzon në zonën arktike, në mjedise të ulëta kënetore, në liqene të cekët ose nëpër shelqgjishte në zonat malore dhe në tundra, tregon Mirjan Topi nga PPNE. Shtegton përgjatë muajve gusht-shtator përmes e drejt juglindjes, përmes Evropës për të dimëruar në detin Arabik. Në Evropë, përfshirë këtu dhe Ballkanin, ky lloj mund të shihet rrallë herë përgjatë shtegtimit vjeshtor, kryesisht në mjedise bregdetare dhe këneta. Tek ky lloj është i veçantë fakti, se rolet normale në botën e shpendëve midis dy gjinive këtu janë në të kundërt.

Femra është më e madhe dhe më shumëngjyrshe përgjatë stinës së verës. Femrat i ndjekin dhe luftojnë për meshkujt si dhe i mbrojnë ata nga femrat e tjera derisa periudha e çiftëzimit përfundon dhe mashkulli fillon të ngrohë vezët. Mashkulli përveç se ngroh i vetëm vezët derisa çelin, kujdeset edhe për rritjen e të vegjëlve ndërkohë që femra endet për të gjetur partner tjetër.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: