FIER

Ra ky tërmet dhe u pamë…Kështu do e interpretonte dikush veprën e Kadaresë këto ditë tronditëse për Shqipërinë. U panë shqiptarët solidarë, të mirët e të këqijtë, miqtë dhe armiqtë e ndoshta dikush u bë i mirë qoftë dhe për pak orë apo ditë duke iu druajtur Zotit a një force të mbinatyrshme duke gjetur shpëtim tek një lutje.

Ky është një nga ata rastet e pashembullta që të mbush plot, plot me mirënjohje e falënderim për të gjithë ata që ndihmuan edhe pse në kushte të vështira ndoshta për veten e tyre.

Shazia është një pensioniste nga Fieri që ka dhuruar çfarë ka mundur për të prekurit nga tërmeti. Tepër e prekur ajo jep dhe një mesazh të fortë që mund t’i shërbejë gjithkujt si një mësim.

“Jam pensioniste nuk kam të holla të jepja se jam vetëm, nuk kam njeri tjetër. Kam dy batanije, 4 palë xhinse, nja 2 bluza, një shall për dimër dhe një mbulesë. Vetë i bëra, kush do mi bëjë vetëm jam.
Zoti mbaftë dorën bijë e nënës se këto janë punët e Zotit! Por njerëzit nuk janë njerëz se nuk duan njeri-tjetrin por duan pasurinë, asgjë s’marrim me vete. Do marrim dy copa dhoga dhe një metër beze. Atje të jemi të pastër, tek ai. Se ajo jetë është më e rëndë por nuk mendojnë njerëzit”, thotë ajo teksa iu bashkohet qytetarëve të tjerë që kanë dhuruar ndihma.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb