TIRANË

Dy persona janë ekstraduar në Shqipëri nga Gjermania dhe Italia pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale. Njëri për mashtrim me 230 mijë euro dhe tjetri pasi ka shfrytëzuar për prostitucion një minorene.

Zyrtarisht policia bën me dije se janë ekstraduar nga Gjermania dhe Italia dy shtetas të kërkuar nga drejtësia shqiptare

Nga Specialistët e Interpol Tirana, u bë ekstradimi nga Gjermania drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar Ilir Demolli, 54 vjeç.

Demolli është arrestuar nga autoritetet policore në Mynih, më datë 05.03.2019, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet burg, për veprën penale “Mashtrimi”.

Ky shtetas, në vitin 2012, i kishte marrë me anë të mashtrimit shtetases F.SH., një shumë prej 230 000 eurosh, duke ju prezantuar si drejtor i një banke private. Nga kjo shumë, ky shtetas i ka kthyer të dëmtuarës vetëm shumën 25 000 euro.

Po nga Specialistët e Interpol Tirana, u bë ekstradimi nga Roma/Itali, i shtetasit shqiptar M. H., 27 vjeç. I riu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”.

Shtetasi M. H. ka trafikuar dhe shfrytëzuar për prostitucion, në Itali, në periudhën 2012-2013, një shtetase, e cila në atë kohë ishte minorene. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb