Kryeministri Edi Rama propozon Ridvan Boden për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë si dhe bashkëshorten e deputetit të LSI-së, Vangjel Tavo. Mes tri emrave të propozuara nga qeveria tërheq vëmendjen ai i ish-ministrit të Financave në 8 vitet e qeverisë “Berisha”, Ridvan Bode, i cili është tërhequr nga politika aktive pas përjashtimit që i bëri kryetari i PD, Lulzim Basha nga listat e zgjedhjeve të 2017. Suela Popa është gruaja e deputetit të LSI-së, Vangjel Tavo.

Ajo ka qenë drejtoreshë e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, AZHBR-së; ndërsa Edlira Luçi është pedagoge e njohur, shefe e departamentit të Financës në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Kurse tri emrat e propozuara nga parlamenti mësohet se janë deputeti i PD, Florion Mima; dekani i Juridikut, Artan Hoxha dhe Arben Malaj, që propozohet për një mandat të dytë në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Nëse Florion Mima do të votohet nga parlamenti, atëherë do i hapë rrugë kreut të PAA, Agron Duka për të hyrë në parlament, pasi është emri i katërt në listën e PD-së në qarkun e Durrësit.

Votimi
Emrat pritet që të votohen nga Kuvendi, ndërsa opozita e ka bojkotuar prej sesionit të ri parlamentar. Mandati i anëtarëve të Këshillit të BSH është 7 vite. Këta emra u përzgjodhën nga një listë me 38 kandidatë. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë zgjidhen nga Kuvendi dhe ushtrojnë këtë funksion me mandat 7- vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje. Pavarësisht përzgjedhjes nga kryeministri, kandidaturat kalojnë për votim në parlament. Ndërkohë që opozita bojkoton parlamentin, pritet që ish-ministri demokrat të marrë vetëm votat nga PS.

Shkrimin e plotë e gjeni në Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb