Ish-kryetari i fushatës presidenciale të Donald Trump-it, Paul Manafort, do të bashkëpunojë me hetimin që po kryen Prokurori i Posaçëm Robert Mueller, lidhur me përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane të 2016. Ky vendim i tij është pjesë e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë. Njoftimi u bë të premten nga prokurorët në një gjykatë federale në Uashington.

69 vjeçari Paul Manafort, u deklarua fajtor për dy akuza kriminale, duke u bërë zyrtari më i rëndësishëm i fushatës së zotit Trump që pranon fajsinë në kuadër të hetimit të zotit Mueller.

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë e distancoi presidentin Trump nga zoti Manfort.

“Kjo nuk ka fare lidhje me presidentin, apo me fushatën e tij presidenciale të 2016-s, që u kurorëzua me fitoren e zotit Trump,” – tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders të premten, pas lajmit lidhur me Paul Manafort-in.

Hetimi nën drejtimin e Prokurorit Special Mueller ka hedhur hije mbi presidencën e republikanëve. Vendimi i zotit Manafort për të bashkëpunuar, përbën një pengesë politike ndaj zotit Trump përpara zgjedhjeve për në Kongres, që mbahen më 6 nëntor.

Zoti Manafort përfitoi me miliona dollarë nga puna e tij për politikanë ukrainas pro-rusë, përpara se të merrnte detyrën si kryetar i fushatës së zotit Trump, për pesë muaj.

Ai udhëhoqi fushatën në mesin e vitit 2016, kur zoti Trump u zgjodh si kandidat i republikanëve për president, në Kongresin e partisë. Moska e ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2016 dhe zoti Trump ka thënë se nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë mes njerëzve të fushatës së tij dhe Moskës.

Të premten zoti Manafort u deklarua fajtor për një akuzë për komplot kundër Shteteve të Bashkuara dhe një akuzë për konspiracion për të penguar drejtësinë, e ngritur nga ekipi i zotit Mueller. Disa akuza të tjera u rrëzuan.

Muajin e kaluar, një juri e Virxhinias e dënoi Paul Manafortin për mashtrime financiar me taksat. Prokurorët e patën akuzuar atë për fshehje nga autoritetet të 16 milionë dollarëve, që ai kishte fituar nga puna si këshilltar politik në Ukrainë dhe se kishte gënjyer bankat me qëllimin për të siguruar 20 milionë dollarë kredi.

Juria nuk arriti dot marrëveshje për 10 akuza që të premten u rrëzuan tërësisht, si pjesë e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Zgjedhja e jurisë ishte parashikuar të niste të hënën për një gjyq të dytë ndaj Paul Manafort-it, me akuza që përfshinin komplot me qëllim pastrimin e parave dhe komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, duke mos u regjistruar si agjent i huaj si dhe për ndikim të paligjshëm tek dëshmitarët.

Por zoti Manafort e pranoi të premten fajësinë.
Muajin e kaluar zoti Trump e vlerësoi ndihmësin e fushatës së tij, që nuk bëri marrëveshje me prokurorët, sikurse ish-avokati personal i presidentit, Michael Cohen.

Në një postim në Twitter më 22 gusht, zoti Trump shkruante: “ndryshe nga Michael Cohen, ai nuk pranoi të “thyhej”, të sajojë histori për të siguruar një marrëveshje. Respekt për një njeri të tillë, trim!”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb