Njeriu më i pasur në botë, themeluesi i Amazon.com, Jeff Bezos, ka akuzuar pronarin e ‘National Enquirer’ se po e shantazhon me publikimin e disa fotove të nxehta, siç raporton BBC.


Bezos dhe gruaja e tij MacKenzie, thanë muajin e kaluar se po divorcoheshin. Njoftimi i tyre erdhi pak para se ‘National Enquirer’ të kryente hetime për marrëdhënien jashtëmartesore të titanit të teknologjisë.


Të enjten, Bezos postoi një email që tha se u ishte dërguar ndërmjetësve të tij nga përfaqësuesit e AMI kompania mëmë ku bën pjesë edhe ‘National Enquirer’ duke kërcënuar të publikonin “fotot intime” të Bezos dhe të dashurës të tij, Lauren Sanchez.


Zoti Bezos, i cili është gjithashtu pronar i gazetës “The Washington Post”, publikoi komunikimet e tij me kompaninë “American Media Inc”, në një postim në internet të enjten në blog-un e tij “Medium.com”. Miliarderi nuk tha se tabloidi i kishte kërkuar para, por tha se “National Enquirer” i kishte kërkuar që ai të bënte një deklaratë publike ku të thuhej se mbulimi që tabloidi i kishte bërë marrëdhënies së tij intime, nuk ishte i motivuar politikisht.

Kompania ka pranuar në të kaluarën se ajo është angazhuar në ato që njihet si praktika “catch-and-kill”, “kap dhe vrit” (një teknikë e përdorur nga disa gazeta për të parandaluar informacione që dëmtojnë dikë të bëhen publike, për të mbrojtur aleatët e gazetës), me qëllimin për të ndihmuar zotin Trump të bëhet president. Zoti Trump ka qenë shumë kritik ndaj zotit Bezos dhe mbulimit që “Washington Post” i ka bërë Shtëpisë së Bardhë.

“Sigurisht që nuk dua që fotot personale të publikohen, por gjithashtu nuk do të bëhem pjesë e praktikës së tyre të njohur të shantazhit, favoreve e sulmeve politike si dhe korrupsionit”, tha zoti Bezos.

Çështja Bezos u bë publike kur “National Enquirer” publikoi një artikull më 9 janar mbi marrëdhënien e tij me Lauren Sanchez, një ish-spikere televizive e cila gjithashtu është e martuar. Zoti Bezos punësoi më pas një ekip investiguesish privatë për të zbuluar se si tabloidi arriti t’i sigurojë mesazhet dhe fotot që të dy ata kishin shkëmbyer me njëri-tjetrin.

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)