Kristina Leska është një shqiptare 22-vjeçare, studente në Universitetin Ëayne State, e cila është vlerësuar edhe me një bursë nga grupi Beaumont Grosse Pointe në nder të Paige Statler, një adoleshenteje që punonte vullnetare në spital dhe u vra në vitin 2014.

“Leska erdhi në Amerikë me ëndrra të mëdha,” kështu e nis artikullin Macomb Daily për të renë shqiptare. “Tani për të nderuar kujtimin e vullnetares Paige, Kristina shpreson që ëndrrat e saj t’i bëjë realitet, si për vete por edhe për vajzën e ndarë nga jeta”.

“Unë dua të bëhem dentiste,” thotë Leska. Paige Stalker ëndërronte të bëhej doktoreshë, dhe ishte 16 vjeç kur punonte vullnetare në një spital në Groose Pointe, dhe u vra në mënyrë tragjike, në një krim që nuk është zgjidhur ende.

“Është shokuese sepse ishte kaq e re dhe me ëndrra të mëdha si të miat. Unë u rrita në Shqipëri dhe erdha këtu menjëherë pas shkollës së mesme. Gjëja më e vështirë që kam bërë në jetë ishte të lija vendin tim dhe të vija këtu ku nuk njihja njeri. Megjithatë mbërritja në një nga vendet më të mëdha në botë  dhe ku mund të realizoj ëndrrën time,” u shpreh Kristina.

22-vjeçarja shqiptare tha se nuk kishte gjë më të bukur se sa të bënte dikë të lumtur dhe të qeshur. “Paige kishte një buzëqeshje të bukur dhe gjithashtu donte që edhe të tjerët të qeshnin e të ishin të lumtur, dhe të njëjtën gjë dua të bëj dhe unë. Do ta çoj deri në  fund ëndrrën time dhe të Paige,” tha Kristina.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: