Presidenti i grupit social-demokrat në Parlamentin Europian, Gianni Pittella, është shprehur se “Formalisht, njohja e Kosovës nuk është kusht për anëtarësim të Serbisë në BE”. Ai ka theksuar se shtetet anëtare të BE-së janë pajtuar që perspektivën e integrimeve evropiane të Kosovës dhe Serbisë ta lidhin me normalizim të marrëdhënieve mes tyre.

“Për aq kohë sa “normalizimi” i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është një kriter kyç për integrimin evropian të të dyja palëve, parlamenti i BE-së, së bashku me disa shtete anëtare, edhe më tutje mund të jetë i ndarë në qëndrime nëse “normalizimi” i marrëdhënieve duhet të përfshijë edhe njohjen reciproke diplomatike”, ka theksuar Pittella për të përditshmen serbe, “Politika”.

Pittella ka vënë në pah se e ardhmja edhe e Kosovës dhe e Serbisë është në BE.

“Në këtë bashkësi, në bashkësinë evropiane, kufijtë thjesht do të zhduken dhe do të ekzistojnë dy shtete që mund të jetojnë në paqe dhe të mbajnë marrëdhënie të mira fqinjësore. Siç ka qenë rasti me Italinë, Slloveninë e Kroacinë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, pa anëtarësimin e Ballkanit perëndimor në BE, procesi i euro-integrimeve nuk mund të cilësohet si i përmbyllur.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb